Shoku Tito ishte i njoftuar për masakrat në Anamoravë, por kishte heshtur

Shqiptarët, përgjithësisht e kanë adhuruar Titon, madje i kanë kënduar këngë dhe i kanë kushtuar poezi.

Por, faktet historike dëshmojnë se Mareshali i Jugosllavisë nuk ka qenë aspak miqësor me shqiptarët, siç e paraqesin komunistët shqiptarë, duke u bazuar tek të drejtat që kishin arritur pas vitit 1974.

Në vitet 1944/45, partizanët e Titos kishin likuiduar pa gjyq rreth 8 mijë shqiptarë në Gjilan dhe rrethinë.

Dëshmitarët e kohës dhe burimet historike kanë një mos përputhje sa i përket numrit të të vrarëve, nga partizanët e Titos, por të gjithë pajtohen se këtu është kryer njëra ndër masakrat më të mëdha në trojet shqiptare.

Nga ajo kohë kanë kaluar 75 vjet dhe numrit më të madh të të vrarëve, nuk u janë gjetur eshtrat dhe as nuk u dihen varret.

Likuidimet masive të popullatës shqiptare kishin filluar më 16 nëntor 1944, pikërisht në ditën e “çlirimit”.

Sipas historianit Naim Musliu, terrori, dhuna dhe gjenocidi serbo-sllav ndaj shqiptarëve, është i dëshmuar përgjatë historisë.

Për të humbur gjurmët e krimeve, viktimat zakonisht ishin masakruar natën.

Krimet kryheshin nën jehun e daulleve dhe instrumenteve të tjera, për të mbytur me zhurmë britmat e vdekjes.

Format më të shpeshta të ekzekutimit ishin vrasjet me plumb, therjet me thikë, prerjet me sharrë, përvëlimi me ujë, goditja me kazmë, me tokmak, me kmesë, me kondak pushke, me bajonetë, me hekur të skuqur, prerje e ekstremiteteve si dhe forma të tjera.

Faktet historike flasion se për terrorin e njësiteve të UNÇJ-së, e sidomos Brigadës 17 maqedonase, ishte njoftuar Titoja, nëpërmjet një letre dërguar nga Milladin Popoviqi, në nëntor të vitit 1944, por nuk kishte reaguar dhe kjo nënkupton se ai e kishte miratuar në heshtje krimin.

Tito e kishte vizituar Gjilanin gjatë periudhës së socializmit, siç shihet edhe në këtë foto, dy ose tri herë, qytetin ku ishin kryer krime të tmerrshme nga partizanët e tij dhe ai kishte heshtur./mediafokus.info