Tmerri i përjetuar i Ejup Hasanit

Ramadan Hasani

Më 5 shtator 1990 u largova nga puna prej pushtetit serb, i instaluar me dhunë në Kosovë. Deri atëherë kam punuar gjeodet në Entin për Punë Gjeodezike dhe Fotogrametrike në Prishtinë, Drejtoria Krahinore e Gjeodezisë.

Nuk kisha zgjidhje tjetër, prandaj më shumë qëndroja në fshat, në Pidiq, për t`i ndihmuar nga pak prindërit.

Situata politike dhe e sigurisë tensionohej gjithnjë e më shumë. Nga Bjeshkët e Rugovës, në Prishtinë kishte zbritur një malësor i rritur jetim. Babë e gjysh ia kishin pushkatuar dhe ua kishin humbur gjurmët në vitin 1945.

Ai, nga Parisi solli titullin Doktor Shkence. Me flokë të gjata dhe shall rreth qafe, nuk lente përshtypje të madhe. Të premten në ora 12 nuk shkonte në xhami, por në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës, ku gazetarëve vendorë e ndërkombëtarë u raportonte në mënyrë të përpiktë për dhunën, plaçkën, vrasjen dhe torturimin sidomos të rinisë kosovare.

Gjatë gjithë ditës, popullit të vetë të robëruar i kërkonte të durim. Gjatë gjithë natës diplomatëve dhe politikanëve ndërkombëtarë ua rrihte tavolinat “nuk mund të durojmë më kështu”.

Kroacia dhe Bosnja digjeshin flakë. Në Kosovë të zihej fryma nga kundërmimi i erës të barotit. Pas masakrës dhe gjenocidit në Srebrenicë (Bosnje) ku u pushkatuan 8800 njerëz, diplomacia ndërkombëtare filloi të mendojë ndryshe.

Dalëngadalë filluan të vijnë përkrahje të fuqishme për Kosovën, të cilën nuk e kishim pas asnjëherë në histori. Mbështetja kishte filluar të vinte nga SHBA, Anglia dhe Gjermania.

Në politiken e brendshme gjithashtu filluan lëvizjet e para. Gjersa grupe të vogla entuziastësh të udhëhequr nga Adem Jashari, Zahir Pajaziti e Ardian Krasniqi aty-këtu bënin ndonjë atentat, Anton Qeta, Zekirja Cana dhe heroina Nurije Zeka hidhnin hapat e parë drejt lirisë, pajtonin gjaqet dhe ngatërresat kudo në Kosovë.

Flokëgjati me shall rreth qafe, kësaj radhe mullirit ia kishte prerë jazin aq larg sa Serbia nuk i binte në fije se në cilin mulli do ta çojë ujin.

Entuziazmi dhe ambiciet ishin të mëdha.

Në të njëjtën kohë ishte formuar edhe Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës. Populli, përmes televizorit informohej vetëm nga Zagrebi ose Tirana. Të gjitha lajmet fillonin me informata për masakrat serbe.

Për dallim prej Habib (Ajvaz) Qerimit, kufomat e ushtarëve nuk zhdukeshin, silleshin në arkivole me hematome të qarta të vdekjes së dhunshme.

Arkivolet nuk ishin shenjë e humanizmit njerëzor. Represalie e tmerrshme për rininë dhe popullin shqiptar.

Babai im i ndjerë (vdiq me 25 dhjetor 1999) sa herë dëgjonte lajme mbi masakrat ndaj rinisë kosovare i lutej zotit: “O zot m`i jep 500 ballana e t`i hypi përmi Beogradit e ta baj rrafsh me tokë”.

Vëllai Qemajli, me shaka i thoshte “valla babë shumë po lyp, nja 250 po ti japim boll i ki”. Krijohej atmosferë humori, sa shpesh qeshim edhe sot kur e kujtojmë atë kohë.

Pas pak dite në ekran doli prof dr Marjan Demaj, më vonë edhe rektor i Universitetit të Kosovës dhe tha: Në emër të popullit fali tri gjaqe të vëllezërve të mi”.

Baba (Ejupi) e lavdëroi dhe e komplimentoi shumë: ‘Ty zoti t’rujt, zoti të bekoftë, hallall prindërve që t’kanë rritë’.

Babë, i thashë, unë, Marjanin e njoh shumë mirë, bashkëshorten e tij Mirën e kam kolege.

Kur ia tregova arsyen banale të vrasjes, edhe një herë u ngrit në këmbë dhe e uroi Marjanin për trimëri e mençuri. Atëherë mora guximi dhe iu drejtova.

Allahile babë a ban me t’vet diçka. Po more, tha. Po me t’hy n’shpi Anton Qeta dhe Zekirja Cana a ja banë hallall Shefki Gadimes.

Për një moment heshtje, lotët iu bashkuan te mjekra.

U pendova, por ishte vonë.

Pasi u qetësue pak, fshiu lotët, filloi rrëfimin.

Në vitin 1943, pas një sëmundje vetëm disa orësh, në moshën 35-vjeçe më vdiq baba Hasani. Vetëm një vit më vonë, në vjeshtën e vitit 1944, më vdiq gjyshi Salihi. Më 6 janar 1945 u vra axha Isuf.

Në vjeshtën e vitit 1945 më vdiq edhe krahu i vetëm që kisha, gjyshja Esma.

Hesati jetonte si kaçak në mal. Dy shtëpi plot jetimë. Nuk i kisha akoma 16 pranvera. Me ndihmën e Shaip Devajes, Mulla Azemit nga Shtraza dhe Adem Stançiqit, fëmijëve të axhës Isuf ua riparuan dy dhoma.

Kisha obligime të mëdha ndaj Hesatit dhe dajës Xheladin, ata jetonin në mal si kaçak.

Kur mendova se situata do të vije duke u përmirësuar, krisi belaja. Një ditë dimri shumë të ftoftë, viti 1945-1946 te dera u paraqit OZN-a (Odelenje Zashtita Naroda – në gjuhen shqipe do të thotë Byroja e Mbrojtjes Popullore). Njësiti OZN-as përbëhej nga oficerë profesionistë të karrierës, të përgatitur dhe trajnuar në mënyrë speciale.

Njëri prej tyre u prezantua. Jam Shefki Beqiri, oficer i OZN-as. Më mori me të mirë. Ne e dimë se je djalë i shkathtë dhe i zoti. Bëhu gati, do t`i bashkëngjitësh njësitit tonë.

Ia shpjegova situatën në familje. Ne do të japim rrogë të mirë, do ta mbash familjen pa problem, më tha.

Bëhu gati rroba, këpuca, pas pak ditësh vijmë të marrim.

E pashë sa është sahati!!!

Ky po kërkon Xheladin Kurbaliun. Vetëm pas tri dite, daja Xheladin erdhi si zakonisht, pasi terrohej, kurse dilte nga shtëpia para agimit. I tregova për kërkesën e OZN-s.

Ngomë dajës çka po t’them: As rastësisht mos u mundo mos me pranu se unë vij te ju! Ti do t`i thuash: Xheladini vjen me dhunë, posa t’hynë brenda vëllezërit dhe motra nuk guxojnë me dal jashtë dhomës. Po u rrethova, do t`i vrasë te tanë.

Dhe vazhdoi të më trajnoj me të gjitha armët dhe municionin në disponim, që peshonin afro 35 kilogramë.

Automatikut, m’ thojke, kushtoj kujdes, karikatori duhet të shtyhet me forcë deri në fund, po mbeti pak jashtë nuk i ngreh fishekët dhe armikut i jep kohë me shkrep i pari ose me ik.

Para mëngjesit doli nga shtëpia. Pas një jave në mbrëmje OZN-a erdhi te dera. Më vunë përpara, bora deri në shokë. Para agimit hymë në Lubishtë.

Vërehej një dritë llampe në një shtëpi. OZN-a (ishin 38 ushtarë e oficerë) rrethoi shtëpinë. Njëri nga oficerët thirri ‘O gazda‘ (o i zoti shpisë). Dera u hap ngadalë. ‘Ko je’ (kush është) – u dëgjua një zë. ‘Mi smo partizani OZN-a’ (Ne jemi partizanët e OZN-as)

Menjëherë jehoi automatiku nga brendësia e shtëpisë. Nja 20 minuta nuk u ndalen të shtënat! Unë isha shumë i ri, pa përvojë, u habita, nuk dita as me u shtri në borë. Për çudi askush nuk u gërvishtë.

Edhe i zoti i shtëpisë, Elez Lubishta iku në mal pa u gërvishtur. Prej aty në oden e Heset Lubishtes. Heseti më njihte mirë, por iu kisha ngatërruar me Hesatin. Sa herë më thërriste o Hesat, i përgjigjesha pa e kundërshtuar.

Në orët e pasdites, Shefkiu dha urdhrin ‘Pokret’ (lëvizni). Mua më urdhëroi t`i ndihmoj intendantit (gjellëbërsit) ta përgatisim darkën.

Gjatë bisedës, Heseti më tha: A për at lepurin po të mundojnë a. Më erdhi inati. Jo i thashë, për atë ujkun po më mundojnë. Xheladin Kurbaliu është ujk. Gjellëbërësi e kishte ditë shumë mirë gjuhën shqipe. Posa erdhi Shefkiu i tregoi.

Këtu filloi hora!!! Më lidhi për karrige. E vërejta se karikatori nuk ishte i mbushur me plumba. 25 herë gjatë natës shkrepi ashtu pa plumba në gojën time. Ishte tmerr, era e barotit e trishtueshme ma çante kokën për gjysmë. E vetmja pyetje ishte: ku e gjejmë Xheladin Kurbaliun.

Herën tjetër më dërgoi në Gllazhnje. Drejt në shtëpinë e Bozhinit. Bozha sapo i kishte lëshuar dhitë në kullosë. Shefkiu hyri brenda, doli me një gazetë në dorë. “Bozho dogji ovamo majku ti jebem” (Bozho eja këtu ta luajsha nënën). Lexoje këtë gazetë. Bozha nuk dinte me lexu! Hoqi hunin nga gardhi. Kur i sillte, më shumë kërcente trupi i Bozhës se sa huni. Kurrë nuk e mora vesh a vdiq apo shpëtoi.

Herën e tretë më dërgoj në Ostrivicë. Më lidhi për mullari të sanës. Roja në ndërrimin e orës 4 të mëngjesit futi një dërrasë nën këmbë sa mos me mu ngri këmbët. Para se me ardhur ndërrimi tjetër i rojës, ma hoqi dërrasën dhe e futi në borë.

Herën e katërt nga Pidiqi në Dunav, Rekës së Zezë, drejt në Ostrivicë. Nga distanca vërehej një tym i hollë. ‘Evo ga tu je’ (ja, atje është) – tha Shefkiu. Shtrije rrethin ishte urdhri i radhës. ‘Zatvaraj obruq, zatvaraj obruq (mbylle rrethin) – komandonte Shefkiu.

Pasi pranoi raportin se rrethi u mbyllë, urdhëroi: ‘Donesite mi onog ballista’ (ma sillni këtu atë ballistin).

Shefkiu më vuri automatikun pas qafe, kurse ai tjetri nën sqetull. Më shtynin përpara: thirr o daja Xheladin, ai ta njeh zanin, nuk të vret, dorëzohet i gjallë. Asnjë za i vetëm nuk dilte nga goja ime. Kur u futëm në bunker, asnjë njeri i gjallë. Në mes të bunkerit çerepi i mbuluar me prush.

Shefkiu me çizme e rrotulloj çerepin. Doli buka kallamboqe e pa pjekur. Akoma nuk kishte vënë kore! E shkeli me dy këmbët duke sharë: ‘Jebem ti hleba koju jede Xheladin Kurbalia’ (Ta luajsha bukën që e han Xheladin Kurbalija).

Kurrë vetes nuk ia bëjë hallall që u liga aq fort para një ndyrësirë të quajtur Shefki Beqiri nga Gadimja.

Më plasi vaji, dënesja me zë, nuk mundja vetes mi dhanë gajret, ndonëse daja kishte shpërthyer rrethimin.

Herën e fundit daja ishte te ne, dy javë para se të vritej. Pasi u terrua mirë, dola e mora në shpat. Rrëshqiti në borë, theu kondakun e automatikut. E riparuam bashkë, me thumba.

Vetëm dy javë më vonë, dola në Gjilan me marr posten për dajën. Lidhja ishte furrtari Ibish Shehu nga Planeja e Hasit. Tri herë kalova rreth furrës, Ibishin nuk e shihja. Bukën po e shiste një punëtor i tij.

U largova pak, kah objekti i sotëm i Komunës, përball postes të sotme dhe nga distanca vërejta një ushtar me automatik të njëjtë me atë të dajës.

Nga kureshtja nuk ia ndaja sytë automatikut.

Kur u afrova, i vërejta shumë mirë thumbat që i kisha ngulur me dorën time. M`u ftohën këmbët. Te Xhamia e Madhe dikush nga Muqibaba, në kalim e sipër, pa ma dhanë dorën, më tha “mos u mërzit për dajën, zoti ju takoftë në xhenet.

Xheladin Kurbaliu u vra me 13 shkurt 1946 në Muqibabë (Kokaj). Shefki Beqiri, që e thërrisnin edhe Shefki Gadimja, ndërsa ai kishte dëshirë ta thërrisnin Shefki OZN-a, në verën e vitit 1946 u vra në pritë të organizuar mirë në periferi të Hogoshtit nga Taip Beha, Taip Dajkovci dhe Rexhep Shipshnica. Kufoma e mbuluar mbeti në vend të ngjarjes deri sa i erdhi baba nga Gadimja.

Baba i mërzitur i ra në dy gjunjë dhe ia lau fytyrën me lot. U ngritë në këmbë dhe mori fuqi sa për t`i thënë disa fjalë. “Heu more biri jem, mori t`kam pa qeshtu, për qielli e ke pas lyp, për toke e paske gjetë”.

Edhe një herë ra në gjunjë, i puthi duar e faqe të përgjakura, duke ia larë me lot.

Edhe Jupës gjatë rrëfimit i rridhnin lotët duke ma dhanë përgjigjen definitive. Babës të Shefkiut dhe familjes ia kam ba hallall qysh në ditën që mora vesh për vrasjen e tij. Shefkiut hallall të gjitha, por jo kurrë sharjen “bukës së kallamojt të dajës Xheladin”.

Edhe një kuriozitet. Daja Xheladin i kishte mbet borxh para kesh në vlerë prej 6 deleve. I kishte lanë amanet nipit Ejupit, nëse vdes pa ia la borxhin Ibishit, kurdo qoftë t’ia laj borxhin.

Ejupi amanetin e dajës arriti ta qojë në vend vetëm ditët e para të vitit 1972, pasi djali Salihu kishte fillua punë si mësues në Pidiq dhe kishte marr një rrogë shtesë. Vlera e borxhit ishte afro 600-700 euro të sotme.

Nga ky borxh, axha Ibish hoqi vetëm një monedhë letre, e futi në gjep dhe tha: të tjerat hallall Xheladin Kurbalisë.

Kurë NATO i hipi sipër Beogradit me 1000 aeroplanë, baba pësoi gjakderdhje në tru. Nuk kishte orientim të mjaftueshëm në kohë dhe hapësirë. Nuk e di a e kuptoi se zoti i kishte dhenë 1000 aeroplanë me ba Beligradin rrafsh me tokë.

Kush ishte Xheladin Kurbalia

Xheladin (Ramadan) Miftari njihej si Xheladin Kurbaliu. U lind dhe u rrit në Kurbali. Në rininë e hershme ra në burg për shkak të një konflikti banal me mikun. U dënua 8 vjet burg. Dhomën e burgut e ndante me Mosha Pijaden, njëri nga themeluesit e Partisë Komuniste Jugosllave. U “infektua” me ide komuniste.

Pas burgut, më 28 shtator 1942, në Ramjan formoi Aradhen Partizane “Zenel Hajdini”. U zgjodh komandant i aradhes së parë shqiptare në Kosovë.

Gjatë muajit nëntor 1942, në shtëpinë e vëllait Imerit në Kurbali u takuan me aradhen partizane “Simo Pogarqeviq” nga Vraja. Pas tri ditë negociata u vendos të bashkohen aradhet, që aradhja të mbajë emrin Simo Pogarqeviq dhe që komandant aradhe të jetë Zhivojin Nikoliq.

Aksioni i parë merret dhe paaftësohet për punë miniera e Llojanit. Xhela kundërshtoi. Aksioni u krye me sukses. Vetëm pasi Xhela ia ktheu pushkën Nikoliqit, arriti që punëorve t’u ndante nga dy rroga. Në pranverën e vitit 1943 Xheladini kaloi publikisht me grupet shqiptare për mbrojtjen e kufirit. Ishte komandant kufiri prej Bujanoci deri në Qerkez (Kumanovë).

Në kontinuitet anëtar shtabi te Mulla Idrisi. Në fund të nëntorit 1944, pasi komunistët partizanë depërtuan në Kosovë, jetoi në Ilegalitet. U vra me tradhti, më 13 shkurt 1946. Kurrë nuk iu gjet varri. /Mediafokus.info

…………………………………………………………….

Fotoja në ballinë: Ejupi me mustaqe dhe nipat Ramizi dhe Azizi nga Kumanova
Fotoja në brendi: Ejupi me vajzën Esmahen.