Togerja e FSK-së, Ermona Meshi diplomon në SHBA dhe nderohet me medaljen prestigjioze “US Diplomatic Medal”

Togerja e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Ermona Meshi, ka përfunduar me sukses studimet në Adjutant General School të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shënuar një arritje të rëndësishme në rrugëtimin e saj profesional, transmeton albinfo.ch.

Ajo është nderuar me medaljen prestigjioze “United States Diplomatic Medal”, një vlerësim që u jepet studentëve ndërkombëtarë për rezultate të larta akademike, disiplinë dhe përfaqësim dinjitoz gjatë trajnimeve.

Ky sukses ka një domethënie edhe më të veçantë, pasi Ermona Meshi është mbesa e dëshmorëve Afrim dhe Bashkim Meshi, dy vëllezër që ranë heroikisht në luftë për lirinë e atdheut.

Arritja e saj konsiderohet një dëshmi e përkushtimit dhe profesionalizmit të kuadrove të FSK-së, si dhe një përfaqësim i denjë i Kosovës në institucionet prestigjioze ushtarake ndërkombëtare.