Tomë Berisha, gjenerali që kishte kërkuar ushtri dhe akademi për shqiptarët në vitin 1969
Profesori i njohur Martin Berishaj ka rikujtuar gjeneralin Tomë Berisha, në 8-vjetorin e ndarjes nga kjo jetë, duke nënvizuar kontributet e tij në çështjen e kombëtare.
“Populli shqiptar në Jugosllavi nuk mund të jetë i barabartë, nëse nuk do të ketë ushtrinë e vet dhe Akademinë Ushtarake në gjuhen shqipe!”, kishte thënë Tomë Berisha qysh në vitin 1969.
Ky është dedikimi i plotë i Martin Berishajt për akademikun dhe ushtarakun Tomë Berisha:
Kaluan tetë vite që shkoi në amshim i pavdekshmi akademik dhe gjeneral Tomë Berisha.
Jeta dhe vepra e tij mbetet si dëshmi dhe gjurmë dalluese për shtetësi të Kosovës.
Plot tri dekada ishte udhërrëfyesi dhe profesori i oficerëve dhe studentëve shqiptarë, që studiuan në Zagreb e në veçanti në Akademinë Teknike Ushtarake: Naim Maloku, Fehmi Lladrovci, Agim Ramadani, Xhafer Jashari, Fadil Demiri, Ton Marku, Xhelal Canziba, Nahit Haxhiveseli, Riza Rugova, Sadik Sutaj, Bashkim Kalaveshi, Tahir Zejnullahu, Rifat Osmani, Naser Zeka, Agim Përzhaku, Agim Haziri, Enver Reçica dhe shumë e shumë të tjerë që në kohët më të vështira i dolën zot Kosovës dhe qëndruan burrërisht në altarin e lirisë, e që shqiptarët e gëzojnë sot.
Fjalimi profetik i Gjeneral Tomë Berishës, i cili gjendet me shkrim në arkivin e tij personal, por edhe i xhiruar nga TV Zagrebi, më datë 24. 06. 1969, në Shtëpinë e Armatës në Zagreb, e që së pari në Kosovë u shpalos në Kaçanik, në konakun e patriotit të shquar, Sali Bajra, ku në mes tjerash thuhet: “Populli shqiptar në Jugosllavi nuk mund të jetë i barabartë, nëse nuk do të ketë ushtrinë e vet dhe Akademinë Ushtarake në gjuhen shqipe!”.
Ndaj, u deshën më se dy dekada që të organizohen ushtarët e parë me shenja kombëtare në Brigadën e Gospiqit, e që jetësuan atë dhe i paraprinë formimit të UÇK -së.
Pusho në paqe Tomë Berisha, se Kosova si shtet, sot, edhe pse me sfida të mëdha, vazhdon rrugën për të cilën gjithë jetën tënde luftove, përfundon postimi i profesor Martin Berishajt./mediafokus.info

