Torres: SHBA s’ka mik më të madh në Evropë Juglindore, Kosova s’duhet të ketë aleat më të madh në botë se SHBA-në

Kongresmeni amerikan, Ritchie Torres, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express, ka thënë SHBA-ja s’ka vend mik më të madh se Kosova në Evropë Juglindore dhe se Kosova s’duhet të ketë mik më të madh në botë se Amerika.

Ai ka thënë se është tepër e rëndësishme që SHBA të mbështes dhe qëndrojë me Kosovën dhe popullin e Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara nuk kanë mik më të madh në Evropën Juglindore se Kosova dhe Kosova nuk duhet të ketë mik më të madh në botë se Shtetet e Bashkuara. Është e rëndësishme që ne të vazhdojmë të mbështesim dhe të qëndrojmë me Kosovën dhe afro dy milionë njerëz që janë krenarë ta quajnë atë shtëpi”, ka thënë Torres.

Duke folur për raportet që SHBA ka me Kosovën dhe Serbinë, Torres ka thënë se Kosova është shtet aleat i palëkundur i Perëndimit, ndërkohë që Serbia është vetëm një satelit në orbitën e Rusisë i cili po bëhet çdo ditë e më autokratik.

“Kosova po bëhet më demokratike, jo më pak, ndërsa Serbia po bëhet më autokratike, jo më pak. Kosova është aleate e palëkundur me Perëndimin, ndërsa Serbia është në thelb një satelit në orbitën e Rusisë”, ka thënë Torres.

Duke folur për kërkesën e Kosovës për të blerë armatim nga SHBA-ja, Torres ka thënë se e përkrah një kërkesë të tillë.

Ai ka theksuar se shitja e Javelin në Kosovë do të rris edhe më shumë ndaljen e rrezikut nga një sulm i Serbisë, duke e bërë kufirin kështu më të sigurt.Torres thotë se kjo është në interesin e SHBA-së dhe të Kosovës.

“Unë mbështes kërkesën e Kosovës për raketa Javelin, të cilat janë me rreze të shkurtër, të lëvizshme nga njeriu dhe të dizajnuara për t’u mbrojtur nga sulmet e blinduara. Qëllimi i tyre i vetëm është kundër armatimit, jo kundër personelit. Shitja e Javelin në Kosovë do të rrisë më tej frenimin ndaj rrezikut të një sulmi serb, duke stabilizuar kështu kufirin. Kjo është në interesin e Amerikës dhe të Kosovës”, ka thënë Torres për Gazetën Express./GazetaExpress