Tragjedia në Gostivar, Prokuroria: U gjetën tre gjurmë dhe arma

Prokurori kujdestar publik nga Prokuroria themelore publike në Gostivar kreu ekspertizë në vendin e ngjarjes në afërsi të shtëpisë së të riut që u vra në rrugën “Goce Dellçev” në Gostivar.

Sipas Prokurorisë, pasi viktima u qëllua me armë zjarri, ishte dërguar në Qendrën urgjente në Gostivar nga babai i tij dhe atje ishte konstatuar vdekja.

“Gjatë ekspertizës në vendin e ngjarjes janë marrë tre gjurmë, si dhe arma – pistoletë, e cila do të jetë lëndë e ekspertizës. Me urdhër të prokurorit publik, janë siguruar video regjistrime nga kamerat e objekteve lokale”, njoftuan nga Prokuroria Publike në Gostivar, nga ku thonë se po ndërmerren veprime plotësuese për ndriçimin e plotë të ngjarjes.

Kryersi dhe motivi i vrasjes ende nuk dihen. Me urdhër të Prokurorit Publik trupi i pajetë u dërgua për obduksion.

Sipas dëshmitarëve, i ndjeri ka qenë duke u kthyer nga qyteti në shtëpi dhe dhjetë metra nga porta e shtëpisë është sulmuar me armë zjarri.

Dëshmitari i rastit që është familjar i viktimës, ka rrëfyer për Gostivari Sot atë që pa me sy në momentet e vrasjes së 28-vjeçarit, Gent Asani.

Ai ka treguar që viktima kishte qenë duke u kthyer në shtëpi dhe ka kontaktuar pak çaste para aktit makabër me familjarët dhe ka shkuar në shtëpi për të darkuar.

Familjarët por edhe miqtë e tij, thonë që i ndjeri ishte njeri i qetë, i dashur dhe i afërt me njerëz dhe shprehin habi ‘se si arriti të vritet një djalë që nuk ishte armiqësi me askënd’./sinjali/