Trajtim i tmerrshëm: I sëmuri mendor u mbajt 30 vjet i lidhur për këmbe

Një varg rastesh në të cilat njerëzit janë shpëtuar pasi ishin mbajtur të lidhur për shumë vjet nga familjet e tyre i ka tronditur nigerianët. Disa prej këtyre rasteve hedhin dritë mbi pakujdesinë prindërore në këtë shtet dhe mungesën e kushteve shëndetësore për personat me probleme psikike.

Disa persona të rritur, për të cilët u tha se janë të sëmurë mendorë, u gjetën me zinxhirë hekuri rreth kyçeve. Ata ishin të detyruar të hanin, të flinin dhe t’i kryenin nevojat fiziologjike në të njëjtin vend, ku ishin të ngujuar.

Në një rast, një burrë 32-vjeç ishte mbajtur i lidhur me zinxhir për së paku shtatë vjet në garazhin e prindërve në rajonin veriperëndimor nigerian, Kano, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Ka pasur edhe raportime për trajtim të dhunshëm të fëmijëve, të cilët kanë mbetur në kujdesin e njerkave ose të afërmve.

Në rastin më të freskët në shtator, një njerkë e një djali shtatë vjeç u arrestua pasi dyshohet se e kishte rrahur fëmijën për vdekje. Ndaj saj ende nuk është ngritur aktakuzë.

Në gusht të këtij viti, një djalë 11-vjeç u gjet i ngujuar në një kotec pulash në rajonin Kebbi, përderisa babai me gratë e tij jetonin rehat në shtëpi. Njerëzit ishin trishtuar nga fotografia ku djali shihej pranë një pule dhe një gjeldeti.

“Pas rastit në Kebbi, ne filluam të merrnim informacione”, thotë Haruna Ayagi nga Rrjeti për të Drejtat e Njeriut, organizatë që ka qenë e përfshirë në shpëtimin e 12 personave, shtatë prej të cilëve fëmijë.

“Ajo që kemi vërejtur është se fëmijët që ishin duke u keqtrajtuar nuk jetonin me nënat e tyre”, shtoi Ayagi.

Në kryeqytetin Abuja, dy fëmijë u shpëtuan nga një tualet, ku besohet se mbaheshin mbyllur nga njerka e tyre deri në kohën kur ajo kthehej nga puna, transmeton Gazeta Express.

Në një tjetër rast në Kano, një vajzë shtatë vjeçe dyshohet të jetë rrahur, djegur dhe lënë e uritur nga njerka e saj, sipas autoriteteve.

Kjo vajzë dhe fëmijët e tjerë që janë shpëtuar në Kano tash po mbahen në qendra qeveritare të kujdesit, përderisa disa nga prindërit dhe kujdestarët janë arrestuar, por ende nuk kanë dalë në gjykatë.

Në një rast tjetër, një burrë 55-vjeç u gjet i ngujuar në një dhomë që nuk kishte derë as dritare. Njërën nga këmbët e kishte të lidhur në shufër metali. Ai ishte mbajtur i mbyllur nga familja për 30 vjet për shkak të sëmundjes mendore./Përktheu: Nasuf Abdyli