Trajtimi i shkencave shoqërore tek arsimimi i infermierisë

Sabedin Sherifi 

Shkencat shoqërore luajnë një rol të konsiderueshëm në programet e reja mësimore për arsimimin e infermiereve. Në praktikën e infermierisë ne gjithnjë jemi përqëndruar tek individi. Megjithatë, kjo shpesh ka qenë e fragmentuar, si në rastin e kujdesit thjesht nga detyra. Gjithashtu ajo anon nga një orientim tepër fizik, duke iu përmbajtur modelit mjekësor të kujdesit, me të cilin shumë nga ne janë edukuar dhe familjarizuar.

Një numër studiuesish, si për shembull Bowker dhe Wells, kanë ilustruar shkallën e lënies pas dore të nevojave sociale dhe psikologjike të pacientëve nga ana e infermiereve në të kaluarën. Kjo s’ishte aspak e çuditshme duke marrë parasysh vënien e theksit kryesisht mbi shkencat që studiojnë trupin (anatomi, fiziologji, biokimi, etj) në trajnimin e infermiereve, vëmendjen jokonstante ndaj psikologjisë dhe përjashtimin pothuajse të plotë të shkencave shoqërore dhe humane para viteve 80-të.

Kontributi i konsiderueshëm i shkencave shoqërore qëndron në inkurajimin qe pacienti te shihet jo vetem ne aspektin individual por edhe shoqeror, duke i pare ceshtjet e kujdesit infermier si te ligjeruara per ata njerez qe bashkeveprojne brenda nje kuadri apo mjedisi shoqeror dhe duke menjanuar ate qe pacienti te shihet si nje individ i semure per shkak te semundjes se veshkes – ndoshta duke mos u kujdesur per veshken ne vetvete.

Shkencat shoqërore

Në bazë të Collins Concise English Dictionary, shkencat shoqërore përkufizohen si: studimi i shoqërisë dhe i marrëdhënieve të individëve brenda shoqërisë, duke përfshirë shkencat ekonomike, historinë, shkencat politike, psikologjinë, antropologjinë dhe sociologjinë.

Në të njëjtin fjalor këto shkenca janë përkufizuar si: Shkencat ekonomike, Shkenca sociale të lidhura me prodhimin dhe konsumin e të mirave materiale dhe shërbimeve sociale si dhe analizën e aktiviteteve tregtare/financiare të një shoqërie.

Historia

Një regjistrim ose vlerësim i zhvillimeve dhe ngjarjeve të kaluara. Gjithçka është ruajtur nga e kaluara veçanërisht në formën e dokumenteve të shkruara; disiplina e regjistrimit dhe interpretimit të ngjarjeve të kaluara.

Shkencat politike

Studimi i shtetit, qeverisë dhe politikës (arti dhe shkenca e drejtimit dhe administrimit të shtetit dhe njësive të tjera politike; qeveria). Kompleksi ose tërësia e marrëdhënieve të njerëzve në shoqëri veçanërisht ato që përfshijnë autoritetin ose pushtetin.

Psikologjia

Studimi shkencor i të gjitha formave të sjelljes njerëzore dhe asaj shtazore.

Antropologjia

Studimi i njeriut, origjinës së tij, institucioneve, besimeve fetare, marrëdhënieve shoqërore, etj.

Sociologjia

Studimi i zhvillimit, organizimit, funksionimit dhe klasifikimit të shoqërisë njerëzore.

Siç u tha më lart, në këtë kapitull ne do të shohim shkurtimisht sociologjinë dhe psikologjinë.

Zhvillimi njerëzor

Një analizë e përgjithshme e zhvillimit njerëzor përfshin aspekte të ndryshme. Psikologët e zhvillimit e vënë theksin në katër prej tyre: Fizik, Psikologjik, Social, Njohës,

Rëndësia dhe varësia e ndërsjelltë e këtyre aspekteve te ndryshme mund të ilustrohet përmes shembullit të mëposhtëm.

Duke ecur më tej ne mund të themi që papjekuria psikosociale mund të ndikojë dhe mbi funksionin intelektual. Kjo shfaqet, për shembull, me fantazimet e shpeshta ose mungesën e përqëndrimit apo të motivimit. Sociologët përshkruajnë efektet sociale të zhvillimit të papjekur psikologjik në familje me shprehjen e xhelozisë së tepruar, mbindjeshmërisë ose krenarisë. Në komunitet sjelljet jo të mira mund të çojnë në agresivitet ose varësi të tepruar.

Nderveprimet e shumë fushave të sjelljes njerëzore janë po aq të rëndësishme për t’u vlerësuar sa ekologjia e zhvillimit njerëzor. Zhvillimi njerëzor nuk është kurrë statik por në lëvizje të vazhdueshme dhe ndryshim të përhershëm. Megjithëse qëllimi i zhvillimit njerëzor është krijimi i një shkalle pavarësie, të gjithë njerëzit janë deri në njëfarë shkalle të varur ose kanë nevojën për tu mbështetur tek të tjerët.

John Donne 300 vjet më parë shkroi: Askush s’është një ishull tërësisht i vetmuar. Çdo njeri është një pjesë e kontinentit, një pjesë e të tërës. Në “dramën e ekologjisë njerëzore”, qëniet njerëzore janë të ndërvarura nga mjedisi. Analiza e mëposhtëme e faktorëve përcaktues të zhvillimit njerëzor dhe studimi I sjelljes njerëzore janë marrë nga Freiberg, K: Human Development: A lifespan Approach

Faktorët përcaktues të zhvillimit

Trashëgimia dhe mjedisi

Le të studiojmë disa nga faktorët më madhorë që përcaktojnë sjelljen njerëzore. Një shikim në Figurën 1 mund t’ju ndihmojë të vlerësoni disa nga faktorët që përcaktojnë personalitetin. Disa nga këta faktorë kanë një bazë të fortë trashegimie si gjenet, seksi dhe rezistenca ndaj infeksioneve. Megjithatë ato modifikohen nga mjedisi i cili mund të ndryshojë shprehjen e tyre. Fenotipi i individit, karakteristikat e dukshme që rrjedhin nga ndërveprimi i gjeneve me mjedisin, nuk është identik me genotipin ose strukturën gjenetike. A mund të themi “një vajzë është një vajzë është një vajzë” në të njëjtën mënyrë që Gertrude Stein tha “një trëndafil është një trëndafil është një trëndafil”? Jo, sepse njohja e rolit të seksit modifikon shprehjen e gjinisë. Gjithashtu, prirja gjenetike e një personi mund të alterohet nga faktorë psikologjikë stresues. Faktorët që kanë baza të forta mjedisore (të tilla si rritja, disiplina dhe edukimi) mund të ndikohen gjithashtu nga faktorët biologjikë (efektet e aktivizimit hormonal, shëndeti jo i mirë ose gjinia). Ne nuk duhet të pyesim nga se ndikohet sjellja, nga trashëgimia apo nga mjedisi. Përkundrazi, ne duhet të pyesim si Anastasi: “Si ndërveprojnë ato”?

Në shekullin e kaluar studiuesit e kanë ndarë studimin e zhvillimit njerëzor në kaq shumë pjesë saqë një vlerësim real unik i gjithë sistemeve që ndikojnë mbi zhvillimin do të kërkonte një vëllim më të madh. Në kurse speciale studentët mund të jepen pas një kërkimi kritik të zhvillimit njerëzor e parë kjo nga një numër pikëpamjesh specifike. Konsideroni këto mundësi: Gjenetikë, Embriologji, Anatomi, Fiziologji, Neurologji, Endokrinologjia e sjelljes, Antropologji, Sociologji, Ekonomi, E drejta civile, Histori, Filozofi, Psikologji. Edhe pse, brenda disiplinave të specializuara ka nëndarje të mëtejshme të interesave. Fusha e psikologjisë aktualisht ka 41 nënndarje duke përfshirë psikologjinë fiziologjike dhe krahasuese, psikologjinë e edukimit, psikologjinë e personalitetit dhe atë sociale, dhe neuropsikologjinë klinike. Këto fusha studimi të specializuara janë të domosdoshme për një kuptim më të plotë të procesit që i bën njerëzit njerëz.

Ndërveprimi i zhvillimit fizik, zhvillimit të njohjes, atij psikosocial dhe të shëndetit do të theksohen në materialin e mëposhtëm. Gjithashtu do të theksohen dy faktorë të tjerë përcaktues të zhvillimit: familja dhe komuniteti.

Familja

Në kohë të ndryshme familja është mbajtur si e shenjtë dhe njëkohësisht është konsideruar si dënim. Shumë njerëz marrin në konsideratë vetëm njërën prej tyre. Ta fusësh familjen e sotme të Amerikës së Veriut në këtë kallëp është e vështirë pasi, megjithëse funksionet që kryejnë familjet mund të jenë të ngjashme, ambienti social e emocional i tyre mund të jetë mjaft i ndryshëm.

Funksioni primar i familjeve në lidhje me fëmijët e tyre është kujdesi fizik. Fëmijët kanë nevojë të ushqehen, të vishen, të strehohen e të mbrohen për vite me radhë para se të mund të kujdesen për veten pa ndihmën e një të rrituri. Një funksion i dytë, shumë i rëndësishëm për familjen në lidhje me fëmijët, është shoqerizimi. Fëmijët duhet të edukohen me vlerat dhe sjelljet e përshtatshme shoqërore. Familja, më shumë se çdo institucion tjetër, mban përgjegjësinë për formimin e tyre fetar dhe moral si dhe për disiplinimin e tyre. Një funksion i tretë i rëndësishëm i familjes është që të gjithë anëtarët të ndjehen të përfshirë në të. Në një familje gjejmë të përfshirë paraardhësit, traditat, intimitetet, ritualet familjare deri dhe shakatë e kodet private. Lidhjet me familjen ndjehen e rezistojnë edhe nëse anëtarët e familjes kanë armiqësi ose udhëtojnë shpesh ose nëse familja është e prirur për tu futur në kriza e konflikte. Një funksion i katërt, i nevojshëm në familje është krijimi i një lidhjeje afektive. Prindërit duhet të jenë një burim dashurie për njëri-tjetrin, për pasardhësit e tyre e për të gjithë ata që jetojnë në mjedisin familjar. Nxitja e ndjenjave të dhembshurisë, dashurisë, kujdesit e mbështetjes është një nga mënyrat më të rëndësishme për zhvillimin maksimal të anëtarëve të familjes.

Komuniteti

Sociologjia e antropologjia kanë treguar se zakonet e një komuniteti janë shumë të rëndësishme si përcaktues të zhvillimit të tij. Megjithëse një kulturë mund të influencohet në mënyrë të konsiderueshme nga një grup faktorësh (p.sh roli seksual dhe statusi social), kjo s’do të thotë se të gjitha kulturat do të ndikohen në të njëjtën shkallë, dhe as se çdo individ brenda një kulture do të jetë i prirur të sillet si çdo person tjetër, kjo në sajë të mbizotërimit të “traditave” (zakone që konsiderohen si ndihmëse në të mirë të shoqërisë dhe kështu zhvillojnë forcën e ligjit).

Megjithëse familja mund të nisë procesin e formimit të vlerave shoqërore tek fëmijët e saj, komuniteti është mjedisi testues ku vihen në provë të gjitha këto vlera e besime. Format e ndryshme të punës e të argëtimit priren të inkurajojnë apo të dekurajojnë sjellje të caktuara. Të gjitha aspektet e shoqeriziimit, ndikohen nga lidhjet e ndërsjellta në komunitet. Për ilustrim le të shohim dy aspekte të zhvillimit psikologjik të përshkruara nga psikoanalisti Erik Erikson.

Figura 2 – Mjedisi familjar dhe i komunitetit ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme edhe brenda një hapësire të vogël

Ai mendonte se mësimi i parë social bazë i përvetësuar nga fëmija është besimi tek ata që kujdesen për të. Anëtarët e komunitetit, të përfaqësuar nga dadot, fqinjët, miqtë e të interesuarit e tjerë, ose nxisin besimin e të miturit tek të rriturit si tutorë, ose formojnë ndjenja mosbesimi. Mësimi i dytë social bazë që përvetësohet në fëmijërinë e hershme është autonomia. Fëmija nis ta shohë veten si një person më vete, i aftë për të qenë vetëm, me një ndjenjë vetëkontrolli, krenarie, dhe me një virtyt të brendshëm. Anëtarët e komunitetit si priftërinjtë, mësuesit e kopshtit apo të çerdhes, dadot, miqtë e prindërve, punonjësit e dyqaneve e të tjerë mund ose të stimulojnë ndjenjat e fëmijës, ose të ushqejnë tek ai ndjenjën e turpit e të mosbesimit. Anëtarët e komunitetit që janë kritikë ose “super-mbrojtes” mund ta bëjnë fëmijën të ndjehet budalla, mosbesues e të varur.

Pjesëmarrja shoqerore është thelbësore për mirëqënien e organizmit njerëzor. Fëmijët, ashtu si të rriturit, kur privohen nga kontakti shoqëror për periudha të gjata kohe, do të kenë dobësim të shëndetit psikosocial. Ruajtësit e ligjit, për shembull, e kanë kuptuar me kohë se lënia në vetmi është forma më e rreptë e ndëshkimit. Anëtarët e komunitetit plotësojnë ose nganjëherë zëvendësojnë anëtarët e familjes si burime të kontaktit social; ata sigurojnë miqësinë, qetësinë e sigurinë emocionale. Ata bashkëpunojnë në detyra, shkëmbejnë ide dhe e njohin njëri-tjetrin me modelet e sjelljeve të pranueshme e të papranueshme.

Anëtarët e komunitetit ndajnë detyrat e kontrollit te shoqerise, duke krijuar apo ndryshuar rregullat, duke i ndjekur ato e duke krijuar institucione për forcimin e ligjit në komunitet. Ata ndajnë detyrën e sigurimit të mirëqënies ekonomike duke i siguruar punë njëri-tjetrit. Ata i japin njëri-tjetrit mbështetje reciproke kur ngrihen detyra e probleme që janë tepër të mëdha për tu përballuar vetëm nga një apo dy individë (p.sh përkrahje gjatë katastrofave).

Kini parasysh se ekzistenca njerëzore është komplekse. Asnjë metodë studimesh, asnjë teori e asnjë libër nuk mund ta përshkruajë ndonjëherë kompleksitetin e saj. Mendojeni vetë. A mundet ndonjë tjetër t’iu kuptojë tërësisht? A e kuptoni ju veten tërësisht? Le të kthehemi në histori e të ndjekim disa nga hapat që kanë bërë filozofët e shkencëtarët socialë për të kuptuar sjelljen njerëzore.

Studimi i sjelljes njerëzore

Në shekullin e 4-t para Krishtit, filozofët grekë diskutuan gjatë mbi natyrën dhe origjinën e sjelljes njerëzore. Ata ishin të interesuar sidomos në konfrontimin e faktorëve përcaktues me vullnetin e lirë, timosit (emocionit), somës (trupit), psikës (shpirtit); nëse trupi e shpirti ishin monistë (tërësia e shkrirë në një) apo dualistë (dy pjesë të pavarura); nëse mendja (idealizmi) apo lënda (materializmi) ishin bazë për të dyja; nëse gjërat duhet të identifikoheshin nga funksionet (veprimet) e tyre apo nga struktura (forma) dhe nëse njeriu mund të arrinte njohjen më të mirë të këtyre problemeve duke përdorur arsyetimin (racionalizmi) apo duke kryer vrojtime e eksperimente të planifikuara (empirizmi).

Aristoteli preferonte racionalizmin. Influenca e tij e theksuar ndikoi mbi filozofët e mëvonshëm helenë, romakë e evropianë. Ai gjithashtu preferonte të arsyetonte mbi proceset e organizmit; psika është aq sa ajo kryen! Ai mendonte se njohja arrihej përmes arsyetimit deduktiv – duke menduar për eksperiencat, nga të përgjithshmet tek detajet.

Filozofët e Rilindjes, në veçanti Rëne Dekart, nuk ishin dakord. Dekarti preferonte të thellohej tek mendja, jo tek psika dhe hodhi idenë se fuqitë e mendjes, vullneti i lirë dhe mirëkuptimi mund të kontrollojnë pasionet. Si dualist ai mendonte se lënda (ndryshe nga mendja) mundet e duhet të studiohej matematikisht e mekanikisht. Ndërsa shkencëtarët empirikë të Rilindjes si Da Vinçi, Koperniku, Galileu, Njutoni dhe Bekon bënë zbulime të mëdha mbi natyrën e lëndës, filozofët e Rilindjes si Hobs, Loke, Berkli, Kanti e sidomos Herman fon Helmholz studiuan lokalizimin e funksioneve psikologjike në mendje (tru) dhe me anë të arsyetimit kaluan nga detajet e veçanta në përgjithësime (arsyetim induktiv).

Darvini i ndezi akoma më shumë debatet mbi natyrën dhe origjinën e sjelljes njerëzore me teoritë e tij mbi evolucionin dhe “mbijetesën e më të fortit”. Biografia e tij mbi foshnjërinë, “A biographical sketch of an infant” e botuar në 1877, theksonte forcën ndikuese të trashëgimisë mbi mjedisin. Aty s’flitet vetëm mbi përcaktimin gjenetik të çdo sjelljeje njerëzore por ai, gjithashtu, e ktheu biografinë mbi foshnjërinë në një subjekt kërkimi shkencor dhe nisi studimin e zhvillimit të fëmijës. Kushëriri i tij Sër Franc Galton i mbështeti tezat e tij në një libër të quajtur “Hereditary genius” i botuar në 1892. Galtoni paraqiste 977 persona të famshëm e i krahasonte ata me disa gra (që ai arriti në përfundimin se ishin jo vetëm më të dobta fizikisht, por edhe inferiore intelektualisht) dhe disa persona me të meta mendore. Ai vuri në dukje se aftësia dukej të ishte e varur nga prejardhja. Në kushtet e rastësisë vetëm një nga 977 personat duhet të kishte pasur një farefis të dëgjuar, por në fakt 322 prej tyre kishin të afërm po aq të famshëm sa vetja. Në familjen Galton – Darvin për shembull, anëtarët e klanit shërbenin në parlament, ishin bërë zotërinj dhe ishin mjekë, klerikë ose oficerë në ushtri. Galton, duke u përpjekur ta ndajë trashëgiminë nga mjedisi, bëri gjithashtu studimin e parë shkencor të njohur mbi binjakët dhe aplikoi teknikat statistikore në punën e tij, duke zhvilluar një nga teknikat më të rëndësishme, korrelacionin.

Psikologjia u shfaq si një shkencë e pavarur, e ndarë nga filozofia pak më shumë se 100 vjet më parë. Ajo u ngrit mbi bazat e krijuara nga mendimtarë të mëdhenj të hershëm. Nga laboratorët e Vilhelm Wundt në Gjermani u insistua se sjellja njerëzore duhej të studiohej nëpërmjet një procesi rigoroz duke përdorur metodat shkencore në vend të proceseve të arsyetimit. Metoda shkencore nënkupton shtrimin e një problemi, ngritjen e një hipoteze, eksperimentimin, vëzhgimin dhe nxjerrjen e konkluzioneve. Çdo teori konsiderohet thjesht supozim nga shkencëtari i vërtetë derisa të provohet nga provat eksperimentale nëse është e vërtetë apo jo. Provat duhet të jenë aq të qarta sa të mund të përsëriten nga shkencëtarët e tjerë. Wundt-i përsëriste se vetëm në këtë mënyrë mund të arrihej një njohje e besueshme e psikologjisë. Asnjë mendim apo teori e vjetër nuk mund të zëvendësonte faktet. Wundt-i donte që asgjë të mos merrej si e vërtetë.

Aristoteli – dukuritë e sjelljes mund të përshkruhen e të organizohen me qëllim që të arsyetohet mbi origjinën e saj. Darvin – Natyra përzgjedh individët më të aftë për të mbijetuar e për t’u riprodhuar (“Përzgjedhja natyrale”) dhe (“Mbijetesa e më të fortit”). Karakteristikat e sjelljes trashëgohen tek pasardhësit. Watson – Sjellja mund të studiohet objektivisht. Gjendjet e vetëdijshme jo. Problemi kryesor në psikologji duhet të jetë parashikimi dhe kontrolli i sjelljes.

Dekart – Ne mund të zbulojmë nëse dhe në çfarë shkalle lokalizohen në mendje veprimet, ndjenjat e dëshirat e një personi. Wertheimer – Njeriu i percepton fenomenet si një tërësi unike duke përdorur praninë, afërsinë, ngjashmërinë, simetrinë e rregullsinë për të konceptuar eksperiencat. Piaget – Proceset e njohjes zhvillohen me faza të individualizuara nga organizimi e përshtatja ndaj eksperiencave. Mendimi fëminor është i ndryshëm nga ai i të rriturit si nga ana cilësore ashtu dhe ajo sasiore.

Helmholtz – Mendja që ndjen dhe nuhat s’është një qenie abstrakte, por një organ neurologjik që funksionon në bazë të parimeve të përcaktuara mirë.

Frojdi – Ne zhvillojmë tre përbërës të personalitetit: idi, ego, superego.Sjellja përcaktohet nga faktorë të subkoshiencës apo koshiencës që mund të studiohen përmes ëndrrave, Maslow – Sjellja drejtohet së pari drejt përmbushjes së nevojave bazë (uria, etja, strehimi e siguria) para se individi të përpiqet të plotësojë nevoja më komplekse si dashuria, asosacioneve të lira ose hipnozës. besimi në vetvete, vetërealizimi e vetënjohja.

Wundt – Psikologjia duhet të jetë një shkencë vrojtuese e eksperimentuese. Ajo s’mund të bazohet mbi supozime racionale, metafizike.

Psikologjia eksperimentale

Metoda e strukturalizmit e Wundt-it (izolimi i elementëve të përmbajtjes mendore) me analizë subjektive të vetvetes (vetëanaliza), u shtua shumë shpejt me degë të reja të psikologjisë eksperimentale: psikologjia Gestault, e krijuar nga Wertheimer në Gjermani; teoria e kushtëzimit të sjelljes, krijuar nga Watson në SHBA (pas punës së fiziologut rus Pavlov).

Psikologjia deskriptive (përshkruese).

Përpjekjet për të përshkruar kompleksitetin unik të individëve në vend të zbulimit të ligjeve të përgjithshme mbi proceset psikologjike, u zhvilluan krahas psikologjisë eksperimentale, por shpesh në kundërshtim me të. Psikologët deskriptivë kritikuan eksperimentimin rigoroz pasi ai nuk merrte parasysh idiosinkrazinë e sjelljes njerëzore. Degët e psikologjisë që përdorën teknika deskriptive të kërkimit në vend të metodave të pastra shkencore të eksperimentimit, përfshijnë psikoanalizën dhe psikologjinë klinike, që pasuan punën e bërë nga Frojdi në Austri; psikologjinë e njohjes, që pasoi punën e bërë nga Piaget në Zvicër dhe Luria e Vigotski në Rusi;dhe psikologjinë humaniste, që pasoi punën e bërë nga filozofët ekzistencialistë, të thjeshtuar nga teoritë e Maslow dhe Roger. Një kritikë ndaj psikologjisë deskriptive është se megjithëse ajo merret me unicitetin e qenieve njerëzore, ajo dështon në shpjegimin apo parashikimin e veprimeve dhe reaksioneve tipike njerëzore.

Sot, si në Greqinë e lashtë dhe në laboratorin e Wundt-it, psikologët janë akoma duke u përpjekur të kuptojnë sjelljen njerëzore. Ne po përpiqemi të kuptojmë fenomenet që sfidojnë shpjegimet dhe parashikimet. Ne akoma debatojmë mbi vlerat e racionalizmit në krahasim me ato të empirizmit. Ne akoma përpiqemi të deshifrojmë çështjet trashëgimi/mjedis/ndërveprim, faktorë përcaktues kundrejt vullnetit të lirë, monizmi kundrejt dualizmit, nëse mendja apo materia është baza për të dyja dhe lidhja midis tyre.

Urie Bronfenbrenner, në një metodë të re për të kuptuar zhvillimin njerëzor, sugjeron se proceset psikologjike duhet të trajtohen si veçori të sistemeve. Sistemet duhet të analizohen duke marrë parasysh të gjithë makrosistemin dhe ndërvarësitë e tij: karakteristikat e njerëzve në të kaluarën dhe në të tashmen, mjedisin në të kaluarën dhe në të tashmen, dhe ideologjitë e shkuara dhe të sotme.

Studimi i stadeve të jetës

Është një disiplinë relativisht e re. Në fakt, më pak se 100 vjet më parë, fëmijët shikoheshin si të rritur në miniaturë dhe shumë prej tyre punësoheshin në miniera dhe fabrika çdo ditë për orë të

tëra. Kujtoni portrete fëmijësh të fundit të shekullit të 18-të dhe fillimit të shekullit të 19-të nga artistë të tillë si Geinsborou dhe Renuar. Fëmijët visheshin me rrobat e të rriturve.

Foshnjëria dhe fëmijëria shfaqen si fusha të rëndësishme të studimeve të veçanta në vitet 20-të, sidomos në punën e Jean Piaget në Zvicër dhe të dy amerikanëve: Arnold Gesell në klinikën e Jorkut për zhvillimin e fëmijëve dhe John Watson. Por pikëpamjet e tyre ishin kontradiktore; Piaget dhe Gesell vinin theksin mbi trashëgiminë dhe maturimin, ndërsa Watson tek mësimi dhe kushtëzimi si baza për sjellje të reja të fëmijës.

Adoleshenca si subjekt i studimeve shkencore, spikati në vitet 20-të, veçanërisht kur “Adolescence” e G. Stanley Hall, e botuar në 1916, u përhap gjerësisht. Ai e përshkroi adoleshencën si një periudhë “Sturm und Drang” (stuhi dhe stres). Më vonë antropologët, sidomos Margaret Mead në veprën “Growing up in New Guinea”, të botuar në 1953, treguan se stuhia dhe stresi nuk janë një fenomen universal. Në periudhën e quajtur adoleshencë ka variacione kulturore. Në disa shoqëri primitive ka shumë pak ndryshime të menjëhershme ose më saktë një tranzicion të shkurtër dhe të shpejtë nga fëmijëria në pjekuri, zakonisht i shoqëruar nga disa forma rituale.

G. Stanlei Hall revolucionarizoi punën edhe në psikologjinë e moshës së thyer ashtu si dhe tek adoleshentët. Në moshën 78-vjeçare ai i shtoi listës së tij të botimeve “Senescence:The last half of life” (1922). Gerontologjia (studimi i moshës së thyer) u bë një disiplinë e pavarur në vitet 40-të me krijimin e Qendrës Kërkimore Gerantologjike në Baltimora, të drejtuar nga Nathan Stock, nën kujdesin e Institutit Kombëtar të Shëndetit. I quajtur dhe Instituti Kombëtar i Plakjes, ai ka studiuar procesin e plakjes nga ana intelektuale, biomjekësore, sociale dhe emocionale, me një program të zgjatur në kohë (duke ndjekur të njëjtin subjekt për një periudhë kohe) për më shumë se 40 vjet, dhe të njohur në arenën ndërkombëtare. Meqë është rritur numri i popullatës së moshuar, edhe kërkimet mbi plakjen janë shtuar.

Sjellja në moshën e pjekur, shqetësimi i filozofëve nga Platoni tek Dekarti dhe i Wundt-it, Wertheimer-it dhe Watson-it, është studiuar përherë e më shpesh si një stad (ose stade) jetësor i ndarë, në vitet e fundit. Charlotte Buhler, një pioniere në psikologjinë moshave të ndryshme, e pa moshën e pjekurisë në aspektin e synimeve të tyre. Bernice Neugarten, e cila filloi një studim të zgjatur në kohë mbi moshën e mesme në vitet 50-të, sugjeroi bashkësi të ndryshme moshash në librin e saj “Personality in middle and late life” botuar në 1964. Robert Havighurst propozoi mënyra të ndryshme zhvillimi për moshën e pjekur dhe atë të thyer. Erik Erikson mendonte se adultët kalonin përmes tre konflikteve thelbësore rinisë, pjekurisë dhe moshës së thyer. Daniel Levinson, George Vaillant dhe Roger Gould së afërmi kanë pasur si subjekt të modeleve të pjekurisë burrat e moshës së mesme. Prova të ringjalljes së interesit për psikologjinë e moshave të mesme u shfaqën në fundin e viteve 70-të, kur libri i Gail Sheehy “Passages: Predictable crises of adult life” qëndroi në listën e librave më të shitur në SHBA për më shumë se dy vjet.

Një studim i njëkohshëm i të gjithë stadeve të jetës është një ndërmarrje monumentale për çdo studiues. Sidoqoftë, disa studime të zgjatura si “Genetic studies of genius:The gifted group at midlife” i Lewis Terman, i filluar në 1921 dhe i botuar në 1959; “Studimet mbi rritjen” i Berkeley-it, i filluar në 1928 dhe studimet e zgjatura të Institutit të Kërkimeve Fels, të filluara në 1929, siguruan informacion mbi ndryshimet në segmente të mëdha të stadeve jetësore në fusha të

tilla si ajo fizike, intelektuale dhe funksionimit të personalitetit. Studimet e ardhshme mbi zhvillimin njerëzor shpresohet te zgjerojnë njohuritë tona mbi të gjithë repertorin e sjelljeve të përditshme.

(Sqarim: Fusnotat janë hequr për shkak të natyrës së shkrimit)

…………………………………………

(Autori është DNP – mësimdhënës i Infermierisë Klinike dhe Specialist i Kujdesit Intensiv dhe emergjencës)