Tre fajdexhinjve të Gjilanit u caktohet masa e paraburgimit nga Gjykata
Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke u caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditësh të pandehurve N. S., A. S. dhe B. S..
Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit nga koha e pa përcaktuar e deri më datë 31.08.2022, në bashkëkryerje, kanë shfrytëzuar pa përvojën e viktimave duke i detyruar të dëmtuarit të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre dhe i kanë sjellë në gjendje të rëndë financiare, ashtu që fillimisht të dëmtuarve ua japin shumën prej 50.000 euro, me fajde dhe në vazhdimësi u kanë bërë presion që viktimat t’ua paguajnë fajden prej 20 % mujore, duke e arritur shumën e dëmit prej 800.000 euro, si dhe u kanë marrë automjetet të tipit Range Rover, Mercedes dhe Tiguan.
Më datë 31.08.2022, janë arrestuar në flagrancë nga Policia e Kosovës, duke hartuar kontratë kinse për shitblerje e cila ka qenë kontratë fiktive dhe ka qenë palujtshmëria të cilën të pandehurit e kanë marrë nga të dëmtuarit për fajde.
Me këto veprime të pandehurit dyshohet se ka kryer veprat penale – fajde dhe detyrim, të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, ngase masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

