Tre persona janë arrestuar në lidhje me rrahjen në kafiterinë “Muzikë Live Adriatike” në Gjilan

Një rast dhune, i ndodhur më 8 nëntor 2025, në Gjilan, ka marrë epilog pas disa javësh hetime intensive.

Gazeta Sinjali mëson se janë arrestuar tre persona të dyshuar për rrahjen e një qytetari në kafiterinë “Muzik Live Adriatike”, e njohur si “Bunari” në Gjilan.

Burimet bëjnë me dije se ngjarja kishte ndodhur mes orës 03:00 dhe 04:00 pas mesnate, kur viktima N. Braha (1973) ishte sulmuar fizikisht brenda lokalit nga disa persona.

Pas hetimeve disajavore të zhvilluara nga Njësia për Hetimin e Krimeve të Rënda në Gjilan, në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Themelore, viktima ka arritur t’i identifikojë të dyshuarit, të cilët rezultojnë të jenë persona që punonin në lokalin ku ndodhi rrahja.

Të arrestuarit janë: A. M., V. A., dhe N. A..

Me vendim të Prokurorit të rastit, atyre u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Rasti është cilësuar si “Lëndim i rëndë trupor”.

……………………….

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.