Tre të vdekur e 15 të lënduar nga një sulm me thikë në Shangai të Kinës
Tre persona vdiqën dhe 15 të tjerë u lënduan, pasi një burrë sulmoi shumë njerëz me thikë në një dyqan të kompanisë “Walmart” në Shangai të Kinës të hënën në mbrëmje.
Policia kineze tha se ka arrestuar një burrë 37-vjeçar me mbiemrin Lin në vendin e ngjarjes, duke shtuar se ai kishte ardhur në qytet “për ta shfryrë zemërimin e tij për shkak të një mosmarrëveshjeje personale ekonomike”. Hetimi është duke vazhduar, raporton televizioni BBC.
Incidenti ndodhi në një qendër tregtare në Songjiang, distrikt me popullsi të dendur në jugperëndim të qytetit, ku gjithashtu ndodhen disa universitete.
Policia tha se tre persona nuk iu mbijetuan plagëve në spital. Të tjerët “nuk kanë pësuar plagë që ua rrezikojnë jetën” dhe nuk besohet se janë në rrezik.
“Kishte gjak gjithkund” – tha një dëshmitar me mbiemrin Shi, i cili ka një dyqan të stolive në katin përdhesë të qendrës tregtare. Ai shtoi se dhjetëra zjarrfikës e pjesëtarë të policisë speciale hynë në qendër dhe u kërkuan njerëzve që të evakuoheshin.
Dyqani ishte i hapur për konsumatorë të martën, por me siguri të shtuar.

