“Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!”
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka ndarë çmimet nga konkursi i shpallur për punimet më të mira me temën: “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!”
Në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë, e cila tradicionalisht shënohet nga BQK, sot u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve për pesë nxënësit fitues të garës së klasave IV-V të shkollave fillore të Kosovës, të cilët kanë realizuar punime mbi konceptin e tyre të menaxhimit të parasë.
Qëllimi kryesor i organizimit të këtij aktiviteti është që të kontribuojmë dhe nxitim fëmijët, që qysh në fazë të hershme të fillojnë të mësojnë e ndërgjegjësohen rreth vlerës së parasë dhe menaxhimit të duhur të saj.
Pas shqyrtimit me kujdes të të gjitha punimeve të sjella nga fëmijët, komisioni vlerësues vendosi që t’i ndajë pesë çmime.
Me çmimin e parë është vlerësuar videoja e nxënësit të SHFMU “Xhemajl Mustafa”, Prishtinë, Dris Sejdiu.
Çmimi i dytë ka shkuar për nxënësen Jonida Salihu për vizatimin dhe punimin me litar nga SHFMU “Dardania, Prishtinë.
Çmimi i tretë iu nda nxënëses Liza Limani për punimin e saj të një videoje
Çmimi i katërt ishte për nxënësen e Shkollës European School of Kosova, Enea Shala për punimin me vizatim/pikturë.
Çmimi i pestë ishte për nxënësin Ubejd Idrizi nga SHFMU “Gjon Serreqi”, Ferizaj.

