“Treshja e Madhe”: Serbia duhet të pajtohet se Kosovën e ka vend fqinj
Qëllimi i negociatave të ardhshme kyçe nuk është që përsëri të komplikohet ajo që tashmë është dakorduar, por të inkurajohen hapat konkretë drejt realizimit të saj, dhe ajo që të dyja palët duhet të shmangin është të ri interpretojnë fjalën e dhënë, sepse me këtë do të humbasin këtë mundësi unike dhe do të rrezikonin bllokadën në rrugën e anëtarësimit në BE, theksojnë në një tekst autorial të botuar në gazetën serbe “Blic”, përfaqësuesit e presidentit të Francës, kancelarit gjerman dhe kryeministres italiane, Emmanuel Bonne, Jens Plotner dhe Francesco Talo, transmeton Paparaci.
Në vazhdim po e përcjellim tekstin e plotë të “Treshes së Madhe”.
Udhëheqësit tanë, presidenti i Francës Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrja e Italisë Giorgina Meloni, na ngarkuan t’i ofrojmë mbështetje Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Josep Borrell dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së Miroslav Lajcak në arritjen e një hapi të madh përpara në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Pse është kjo kaq e rëndësishme për vendet tona? Dhe pse po përfshihemi tani në një dialog në të cilin të dyja palët kanë ngecur për kaq shumë vjet?
Arsyeja është se e ardhmja e Serbisë dhe e Kosovës, si dhe e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, është në Bashkimin Evropian dhe ne duam t’ju mbështesim sa më fuqishëm që të jetë e mundur në rrugën tuaj drejt anëtarësimit në BE.
Evropa është në një udhëkryq. Me sulmin brutal ndaj Ukrainës fqinje, Rusia ka kthyer luftën me përmasa të gjera në kontinentit tonë. Një pjesë e përgjigjes sonë ndaj kësaj goditjeje të papranueshme ndaj rendit evropian të sigurisë është të punojmë edhe më shumë në forcimin dhe unitetin e shtëpisë sonë evropiane. Për “Gjashtëshen Ballkanike” që janë nisur në rrugën e integrimit evropian, duhet të bëjmë një përpjekje shtesë për të hequr pengesat të cilat janë krijuar në të kaluarën.
Pengesa më e dukshme është çështja e pazgjidhur e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila gjithashtu paraqet një rrezik sigurie për Evropën. Ngjarjet që pamë në fund të vitit të kaluar na shqetësuan shumë. Bllokadat, dhuna, kërcënimet dhe retorika nacionaliste e komplikojnë shumë jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës.
Ky jo stabilitet në të cilin jemi vazhdimisht në prag të përshkallëzimit të dhunës duhet të marrë fund. Duhet të marrë fund sepse me të drejtë qytetarët e Evropës pyesin se si Serbia dhe Kosova do të ulen ndonjëherë në të njëjtën tryezë në Bruksel si miq dhe partnerë kur të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian?
Si mund t’i bindim qytetarët tanë se ofrimi i mbështetjes për Serbinë dhe Kosovën është një ide e mirë?
Kjo situatë duhet të marrë fund sepse investitorët nga vendet tona janë duke ndjekur lajmet dhe pyesin veten nëse ia vlen të investohet në këtë rajon. Çfarë duhet t’u themi atyre nëse zjarri i një konflikti të ri tashmë po qet tym?
Por mbi të gjitha kjo situatë duhet të marrë fund sepse qytetarët e Kosovës dhe Serbisë meritojnë një të ardhme më të mirë. Një e ardhme në të cilën do të kapërcehen përfundimisht mosmarrëveshjet që paralizojnë të dy vendet. Kjo e ardhme hap rrugën për ndërtimin e marrëdhënieve miqësore, bashkëpunimin rajonal dhe tregun e përbashkët. Dhe kjo e ardhme, në fund të fundit, hap rrugën për realizimin e premtimit të dhënë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, që është anëtarësimi në Bashkimin Evropian si partnerë të barabartë, sapo të plotësojnë kriteret. Tani është mundësia për të nisur këtë të ardhme.
Kjo është arsyeja pse ne propozuam një projekt-marrëveshje të re dhe të qëndrueshme për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila u miratua nga të gjithë anëtarët e BE-së dhe që mbështetet aktivisht nga liderët tanë dhe partnerët tanë amerikanë.
E mirëpresim sinjalin e fortë dhe inkurajues që Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq dërguan nga Brukseli më 27 shkurt kur pranuan tekstin e draftit. Kjo marrëveshje tani duhet të realizohet sa më shpejt që të jetë e mundur me krijimin e një udhërrëfyesi konsistent për zbatimin e saj.
Qëllimi i negociatave kyçe të ardhshme nuk është që përsëri të komplikohet ajo për çka tashmë është dakorduar, por që edhe më shumë të inkurajohen hapat konkretë drejt realizimit të saj. Ajo që të dyja palët duhet të shmangin është të ri interpretojnë fjalën e dhënë, sepse duke e bërë këtë ata do të shpërdorin këtë mundësi unike dhe do të rrezikojnë bllokimin e rrugës së tyre drejt anëtarësimit në BE.
Serbia duhet të pajtohet me faktin se Kosova është një vend fqinj që ka perspektivën e saj evropiane dhe vendin e saj në bashkësinë ndërkombëtare.
Kosova duhet të përmbushë premtimin e saj për mbrojtjen e komunitetit serb, duke marrë masa për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe dhe duke ofruar garanci për një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe.
Koha nuk është në anën tonë. Dhe më e rëndësishmja, koha nuk është në favor të Kosovës dhe Serbisë. Duhet të jemi në nivelin e detyrës dhe përgjegjësisë, të vetëdijshëm për imperativat e momentit të caktuar. Dështimi do të ketë pasoja.
Fakti është se kjo kërkon mençuri dhe cilësi udhëheqëse nga të dyja palët, si dhe qasje të përgjegjshme të të gjithë akterëve politikë në Serbi dhe Kosovë, por është e realizueshme. Tani është koha e duhur! Si miq të Kosovës dhe si miq të Serbisë, ju premtojmë t’ju mbështesim në rrugën tuaj drejt Bashkimit Evropian, pretendohet në shkrimin autorial të “Treshes së Madhe” para takimit të Ohrit.

