Tri ‘eksperte’ të botoxit nga Kosova dëbohen nga Sllovenia
Tri shtetase të Kosovës janë gjobitur dhe dëbuar nga Sllovenia për shkak se punonin në të zezë.
Sipas Radio Televizionit slloven, ngjarja ka ndodhur në Maribor.
Siç raportohet ato ofronin shërbime kozmetike, përfshirë botox dhe mbushës, pa leje, transmeton Klankosova.tv.
Hetimet fillestare zbuluan se kosovaret bënin punë të paautorizuar dhe “në të zezë”.
Dy nga ato morën vendim për kthim vullnetar dhe gjobat ishin 800 euro për secilën, kurse e treta mori një dënim prej 2 mijë eurosh, për ndihmën që iu dha të tjerave për qëndrim të paligjshëm.
Autoritetet sllovene theksuan se nuk ka kompani apo individ mbi ligjin, veçanërisht kur bëhet fjalë për shëndetin dhe sigurinë publike.

