Tri euro me ja mbajtë dorën njeriut që është tu luftu me jetën…
Visare Berisha
A ka dikush që nuk e ka përjetu të paktën një herë në jetën e tij me qenë “përcjellës” i familjarëve në spitalet publike?
A ka dikush që nuk është përballë me atë karrigen për gjysë të drunit, me atë erën e korridorit, me atë frikën që të rri në fyt gjithë natën?
A ka dikush që s’ka dalë prej parkingut me sytë e skuqur prej pagjumësisë, dhimbjen e madhe ne gjoks prej mërzisë e me mendjen tek analiza e radhës?
Qe so nalë aty te rampa me u ngushtu për shumen që tu ka mbledhë. A me qitë naftë. A me ble barna, a me pagu parking, a me hongër një kafshatë bukë….tash edhe tri euro shtesë per me i përjetu krejt qeto….?!
Sepse kur je qeky “përcjellësi”, nuk je veç familjar.
Je infermier në ndrrimin e natës.
Je rojë.
Je farmacist që vrapon për barna…
Je ai që therret kur harrgjohet infuzioni, e dikur e ndrron e e qet vet…!
Je ai që qortohet pse “jeni mbledhë”.
“Dilni jashtë, se po vjen vizita.”
Mos u dokni nëpër korridore.
Mos rrini grumbull.
…… ti pyet me respekt:
“Doktor, si është?” – si me qenë tu fole me Zotin.
E përgjigjja vjen shkurt, ftohtë, si me ta kujtu që je kerkushi!
Nëse nuk ka thirrë dikush “i njofshëm”, je i padukshëm.
Nëse nuk e ke numrin e duhur, prit.
Nëse nuk e kupton terminologjinë, fajin e ke vetë.
Të palamë.
Të rraskapitur.
Të thyem prej lodhjes, mërzisë, e prej asaj dhimbjes që e sheh njeriun tand tu u shkri para syve.
E mandej thojmë, kështu është sistemi.
E kemi normalizu.
E kemi normalizu edhe mënyrën si trajtohet njeriu kur është më i brishti.
E nëse krejt e kemi përjetu… ndoshta koha është mos me e normalizu ma.
Tri euro, me ja mbajtë dorën njeriut që është tu luftu me jetën… e ti me padrejtësinë…!

