Tri kushtet e Serbisë për heqjen e barrikadave, ndër to lirimi i Pantiq – a do të ua plotësojë dy të tjerat Kurti?
Ish-zyrtari policor serb, Dejan Pantiq, i arrestuar më 10 dhjetor në pikëkalimin kufitar në Jarinjë në veri të Kosovës nuk e vuajti paraburgimin në burg, ai gjatë gjithë kohës qëndroi në veri dhe për shkak të tij u ngritën mbi 10-të barrikada atje. Përkundër tensionve që shkaktoi, Pantiqit sot iu zbutë masa e sigurisë, shkruan Gazeta Sinjali.
Në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, theksohet se Pantiqit iu zëvendësua paraburgimi me arrest shtëpiak deri më datën 9 janar 2023.
Me këtë vendim, urdhërohet Policia e Kosovës që ta marrin Pantiqin nga Jarinja dhe ta dërgojnë në shtëpinë e tij.
Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – kishte paraqitur disa kushte për largimin e barrikadave, dhe njëra ndër to ishte edhe lirimi i serbëve të arrestuar.
Në protestën e 22 dhejtorit, protestuesit kërkuan siç thanë “Lirimin e serbëve të arrestuar”, të tërhiqen listat sekrete të Prishtinës që janë sipas tyre, “për arrestimin dhe pushkatimin e serbëve”, si dhe “Prishtina zyrtare të tërheqë njësitë speciale të Policisë nga veriu i Kosovës”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh i habitur me vendimin për ndryshimin e masës së paraburgimit ndaj Pantiq.
Ai ka thënë se është shumë kureshtar të marrë vesh se si është marrë vendimi që ish-policit Dejan Pantiq t’i ndryshohet masa nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
“Nuk e di çështjen gjyqësore të atij që është i pandehur, për shkak se nuk mund të dërgohej në burg zyrtar. Ai e ka statusin e paraburgosurit, por është i pandehur për terrorizëm. Meqenëse ishte në grevë të urisë dhe kishte probleme në zemër, mund të dërgohej në spital, që është e kuptueshme. Por a është e arsyeshme? E vendos gjyqësori. Kur ke një akuzë për terrorizëm e të dërgohesh në arrest shtëpiak… jam kureshtar ta marrë vesh se cili është ai prokuror që e bën këtë kërkesë dhe ai gjykatës paraprak që e kanë marrë këtë vendim”, ka thënë Kurti gjatë një konference për media.
Ndryshe, që nga 10 dhjetori grupe të ndryshme të qytetarëve serbë kanë ngritur barrikada në disa pika në pjesën veriore të Kosovës, për të kundërshtuar arrestimin e ish-policit serb, Dejan Pantiq.
Ai u arrestua nën dyshimin për sulm kundër anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Barrikadat në veri po vëzhgohen nga Policisa e Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it.

