Tri vendimet skandaloze të Komunës së Gjilanit

Shkruan: Riza Abdyli

Në vende evropiane ku ne i kemi edhe bashkatdhetarët tanë, ku edhe kryetari i komunës i ka familjen, edhe pse një drejtues komune është i zgjedhur, komuna edhe për çështje shumë më të vogla merr mendimin e qytetarëve, me forma të ndryshme të konsultimit e deri te votimi.

Edhe te ne, qytetarët duan të japin mendimin e tyre por atyre u merret vetëm vota në zgjedhje sa për t’i fituar mandatet, pastaj me votat e të mandatuarve vendoset për fatin e tyre, edhe kundër interesave të tyre.

Këtu çalon demokracia në vendin tonë. Udhëheqësit tanë udhëhiqen nga autoritarizmi, më shumë sesa nga vlerat demokratike.

Gjithçka do të jetë e kotë, çdo peticion, çdo kundërshtim deklarativ, çdo pakënaqësi qytetare apo edhe e jona si opozitë, nëse kryetari i komunës vendos që të kontrabandojë çfarëdo plani përmes komplotit të votave të deputetëve.

Tre vendimet e fundit skandaloze të komunës së Gjilanit, që janë:

Vendosja e Drejtorisë së Kulturës në objektin e ri të Bibliotekës

Futja e rrugës me 4 korsi mespërmes qytetit, e ndan atë, e rrezikon dhe e nxjerr jashtë funksionit urban, për shërbim të komunikacionit ndërurban, është një thikë mespërmes trupit të pandarë të qytetit.

dhe dhënia e pronës së Hixhienës, në qendër të qytetit, prapa muzeut, për ndërtimin e administratës së Bashkësisë Islame, gjithashtu për malverzime politike e kalkulime të votave, tregon që mandati i këtij kryetari të papërgjegjshëm, do të ketë pasoja shumëvjeqare në planin urbanistik dhe organizimit qytetit.

Kjo është sepse të tillët, komunën e shohin si mandat, si pronë të mandatit, jo veten si të mandatuar për t’i shërbyer asaj.

Po ndihemi me faj edhe ne si opozitë, për të gjitha veprimet e përçudnuara të cilat nuk po arrijmë t’i stopojmë.

(Autori është shef i Grupit të Këshilltarëve të PDK’së, në Kuvendin Komunal të Gjilanit)