Trump ia dorëzon personalisht Putinit një letër nga Melania – çfarë u shkrua në të?
Donald Trump i dorëzoi personalisht një letër Vladimir Putinit nga bashkëshortja e tij, Melania Trump, gjatë samitit në Alaskë, e cila ngrinte shqetësimin për gjendjen e fëmijëve në Ukrainë dhe Rusi, thanë zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë për agjencinë e lajmeve Reuters, transmeton BBC.
Zonja e Parë, e cila ka lindur në Slloveni, nuk ishte pjesë e udhëtimit, por zyrtarët thanë se letra e saj përmendte rrëmbimin e fëmijëve gjatë luftës.
Qeveria në Kiev vlerëson se të paktën 19,500 fëmijë ukrainas janë deportuar, zhvendosur me forcë dhe detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre drejt Rusisë dhe territoreve të pushtuara nga Rusia që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë në shkurt 2022.
Çështja është jashtëzakonisht e ndjeshme në Ukrainë, ku shumëkush beson se nuk duhet të arrihet asnjë marrëveshje pa një pajtim për kthimin e të gjithë fëmijëve të rrëmbyer.
Në vitin 2023, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhër arresti për Putinin dhe komisaren e tij për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova, për deportimin e paligjshëm të fëmijëve.

