Tybe, qysh na prit ti neve, na nuk jemi kërkun…

Hasan Bunjaku

…Te Shtëpija e nipave Rukocë, i gjeti Shabanin me dy gratë, nën hijen e dudit (manit):
-A ju lash pa sillë ere juve, se si puna e katunarit mo kur bjen n’shehër, e metet e “nuk din me u kthye”, o Shaban? – jau priti ky, para se t’ia lëshonte ndonjë romuze nipi.
-Jo, po nime u banëm marak se ku mete, se jo hebi se nuk po hupesh atje n’mjedis maleve te “Gardhi i shkavit”, e po hupesh në kit kasabë, kaq t’vogël? – ia kthei Shabani.
– Qitnaj t’i lajmë durtë, e kthena qat bukë, se diqëm unit! – i urdhëroi gratë Shabani, jo pa humor.
– Qe meniherë – tha Popocja, dhe e mori legenin, ibrikin e ni peshkir në krah dhe iu afrue të dyve, me rend, dhe iu qiti t’i lanin duart, ndërsa gruaja tjetër, sakaq e kthei sofrën njaty nën hije, dhe që të dyjat, i servuan që nga “çorba e deri n’tatli”…
– Po pse o nip gjithë kit mastraf, po mue m’kini njeri t’shpijes, mo?
– Bash pse t’kemi “njeri t’shpijes” ta bajmë kit hyzmet se me kanë noni i huj, buk e lang, e hajt! Se, tybe qysh na prit ti neve kur vimë atje, na nuk jemi kërkun, po nejse, ta hamë ka ni kashatë e… – pak me shaka e më shumë prej vërteti, po fliste nipi i vogël i Babgjyshit.
– Po Beqa, a u dok sod hiç ksajd pari, a jo? – pyeti Babgjyshi, edhe pse vllaznit gati-gati e kishin hesapin e damë.
– Paj, tybe, pse me t’rrejtë, nuk e kam pa sod hiç, se unë n’kit kohë dola teri n’kafehane se e kisha lanë me u pa me do shokë, e ai, me siguri e ka falë Xhumanë, e shpesh’herë nuk vjen për drekë hiç te shpija, po, han te Akçihanja e “Dajës Rexhë”, për mos me u vonue te puna n’magaze…
Pjesën më të madhe të drekës e hangrën pa bërë llafe, sepse nipi ia dinte tabiatin dajës: që nuk preferonte të bisedohej tue hangër bukë, se “asht gjynah pej sofrës, e mos t’bahemi si shkijet që muhabetin ma t’mirin e kanë kur hajnë noj obrok…!”
-Zoti ju dhashtë bereqet e gjithmonë plot koftë kjo sofër! E, ju o gratë e Shabanit, ju lumshin durtë, se beli kejt shka hangrëm, e paski pasë “shkri”!
– Të baftë mirë, o dajë, e ishalla gjithmonë e shtrojmë sofrtën për të mirë! Po ti, s’po e di a hangre noj trohë a hiç, a?
– Jo po mos po kujton qi vetë i rrotove kto gjysë tepsija e kto kalanica?
– E sa për gatimet e grave t’mija, o dajë, pse a mos patën noj punë tjetër, a? A mos patën me e kap shatin, a drapnin a tfurkin, a, si “gratë e dajve t’mi” n’Desivojcë? – jau “uli vlerën” dy ortakeve t’tina!
– Kurrë s’i le kto “betere” ere ti! Banu niherë burrë taman e mos fol nidejm me “kunxha” – qeshi Babgjyshi.
– Jo po, a s’asht qashtu qysh fola, a? Fol kah del shpirti! – tash ia ktheu seriozisht, nipi dajës.
– Secili ven e ka ka nej “ren”, o nip! Ato gratë tona, nime hjekin pak ma shumë, po as kto nuk e kanë gati hiç ma let me e majtë dyzenin e paqllakin qi e lyp shehri…
– Nejse, he bu, hiçu grave e punve t’tyne se Zoti qashtu jau ka shkrue, – foli Shabani – po ti, sot, qysh e kapërceve e ku mete kaq shumë?!
– Paj, pak te Klaiqtë, pak u zamutllista edhe me do shehërli te Atik-Xhamia para Xhumas. Tevona e fala Xhumanë, e pak u ktheva ere te Usta Hasani ktu në kojshi! E qishtu, m’shkoj dita o nip.
– Po qysh e kisha atë teze, xhanëm?
– Vallha, boll zilam, sa ma ka kput shpirtin! S’paska gjo ma keq se me e pa gjakin tanë tuj hjek si gjarpni ner guri e mos me pasë se shka me ba, nuk paska gjo ma zi…!
– Nafaka…! T’ish kanë pak ma heret, sa nuk kish hala thmij, letë u kanë: ja nalshe krejt, e kshtu…! Do Zoti e i bahen thmija t’hajrit e dikur del n’selamet, o dajë! N’dorë t’Zotit… Shka e paska t’shkrume me e kapërcye insani, nuk paska çare pa kapërcye nepër të.
– S’e di, vallha, veç, puntë s’i kish kërqysh, veç…!
– Po n’xhami, njofte kanë a t’njofti kush? Po imami, qysh t’u dok?
– Jo vallha t’asaj Mahalle ere nuk njoh kanin, po e kisha ma ngat, e qaty, u nala ta fali Xhumanë. Imami, a? S’di shka me t’thanë, se e dha ni vajz koxha t’rreptë, e n’koftë krejt e t’nimete se çka tha, qikjo puna e shkumjes për Turki, ish shumë me levërdi, si për katunar e si për shehërli; qaq sa pasha haktalanë, me ditën e sodit ma mushi menën e ma bani top, qi sa ma par me ik pej ktuhit e zullumit t’shkavit…! – tha i nxemë “n’hekra” Babgjyshi.
– Qajo për zullumin e shkavit qi s’po durohet, n’pastë guxue me e thanë “rrastë”, se hyqmi i ka hafijet e vet, e merr vesh ere e shtinë n’hapsane e s’e sheh ma dritën – s’ka pasë faj, e për ato tjerat, droj qi e kanë msue, e e kanë “shti” qashtu me folë, se nuk munet kush me ma mush menjen se ka nej hyqmet si, birgajri hak, pa t’pasë kurrëfarë borxhi, t’i jep falë kejt qato sene (qi pej ktuhit p’e di, se me shka kanë me ju “sajdis” si t’mrrini atje…)!!! Po, ku m’e e ditë: nashta edhe munet me kanë sahi kejt qato t’mira, qi i ka falë Zoti??? – foli tashti shumë seriozisht e goxha me mllef, nipi Shabani, e vazhdoi: Valla unë për veti për inati të shkavit, qi po don me na “përzanë”, me na “fshi si me fshisë” kejt shiptarët, e me e shprazë Kosovën për kolonista shkije pej veneve tjera t’Kralevinës, ere n’e pagofsha me krye, kit kryeçiteli temen – nuk e kam menën me kivrit pej kti pragi! – e përmbylli.
– Po, po, secilli duhet t’ja qet hesapin vetes e familisë vetë, o nip, e ere ti nashta e kie mirë…! S’e di, m’u ka ba kryet si kazan me çorbë: vlon-vlon, e ftofet e apet vlon…Do ta “pleqnoj” ere me djemë e qysh ta ketë ba Zoti jazi, qashtu do të bahet, se nryshe nuk ban…! – foli Babgjyshi, dhe me kaq e lanë kit muhabet, e metën me dalë pak ere anej kah Beqa, se edhe pak do ta kryente punën për atë ditë…

(Demirovitët: fillimi i rrëfimit, ngjarja para rrëfimeve të botuara më herët, e shkruar në fund të vitit 2021)