“U mashtruam”: Gruaja që i joshi burrat e huaj të luftojnë për Rusinë

Një hetim i BBC Eye zbulon se si qindra burra nga vende të varfra janë joshur me premtime për punë të sigurt, paga të larta dhe shtetësi ruse, por përfundojnë të dërguar në vijën e parë të luftës në Ukrainë. Rasti i Omarit, një sirian 26-vjeçar, hedh dritë mbi një rrjet rekrutimi të drejtuar përmes Telegramit, ku mashtrimi, kërcënimet dhe shfrytëzimi i të huajve duket se janë bërë pjesë e një strategjie më të gjerë të Rusisë për të mbushur radhët e ushtrisë së saj.

Flakët përpijnë skajet e pasaportës së Omarit. “Po digjet mirë”, dëgjohet të thotë në rusisht një grua që nuk duket në video.

Omar, një punëtor ndërtimi sirian 26-vjeçar, kishte rreth nëntë muaj që ishte dërguar në vijën e parë të frontit në luftën e Rusisë në Ukrainë kur videoja mbërriti në telefonin e tij.

Ai e njohu menjëherë zërin e gruas. Ishte Polina Alexandrovna Azarnykh, e cila, sipas tij, e kishte ndihmuar të regjistrohej për të luftuar për Rusinë, duke i premtuar punë të paguar mirë dhe shtetësi ruse. Por tani ajo ishte e zemëruar.

Në një seri mesazhesh zanore nga Ukraina, Omari, që flet me pseudonim për arsye sigurie, tregon se si përfundoi i bllokuar dhe i tmerruar në zonën e luftës.

Ai thotë se Azarnykh i kishte premtuar se, nëse i paguante 3.000 dollarë, do të siguronte që ai të kishte një rol joluftarak. Por, sipas tij, ai u dërgua në betejë pas vetëm 10 ditësh trajnim. Për këtë arsye ai refuzoi të paguante dhe, si reagim, ajo i dogji pasaportën.

Omar thotë se u përpoq të refuzonte pjesëmarrjen në një mision, por komandantët e tij e kërcënuan se do ta vrisnin ose do ta burgosnin.

“Na mashtruan… kjo grua është një mashtruese dhe gënjeshtare”, thotë Omar.

Një hetim i BBC Eye ka zbuluar mënyrën se si Azarnykh, një ish-mësuese 40-vjeçare, përdor një kanal në Telegram për të joshur të rinj, shpesh nga vende të varfra, që të bashkohen me ushtrinë ruse.

Videot e saj të buzëqeshura dhe postimet optimiste ofrojnë “kontrata njëvjeçare” për “shërbim ushtarak”.

BBC World Service ka identifikuar pothuajse 500 raste ku ajo ka siguruar dokumente, të njohura si ftesa, që u lejojnë marrësve të hyjnë në Rusi për t’u bashkuar me ushtrinë. Këto dokumente u janë dhënë kryesisht burrave nga Siria, Egjipti dhe Jemeni, të cilët duket se i kanë dërguar asaj të dhënat e pasaportës për t’u regjistruar.

Megjithatë, rekrutë dhe familjarët e tyre i kanë thënë BBC-së se ajo i ka mashtruar, duke u krijuar bindjen se do të shmangnin luftimet, duke mos i informuar qartë se nuk mund të largoheshin pas një viti dhe duke kërcënuar ata që e kundërshtonin. E kontaktuar nga BBC, ajo i ka mohuar këto akuza.

Dymbëdhjetë familje i kanë treguar BBC-së për të rinj që, sipas tyre, janë rekrutuar nga ajo dhe tani janë të vdekur ose të zhdukur.

Brenda vendit, Rusia ka zgjeruar shërbimin e detyrueshëm ushtarak, ka rekrutuar të burgosur dhe ka ofruar shpërblime gjithnjë e më të larta për t’u regjistruar, në përpjekje për të vazhduar operacionet në Ukrainë, pavarësisht humbjeve të mëdha.

Sipas NATO-s, më shumë se një milion ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur që nga pushtimi i plotë në vitin 2022, me rreth 25.000 të vrarë vetëm në muajin dhjetor 2025.

Hulumtimet e BBC News Russian, të bazuara në njoftime vdekjesh dhe të dhëna të tjera publike, sugjerojnë se humbjet e trupave ruse në Ukrainë u rritën më shpejt se kurrë gjatë vitit të kaluar.

Është e vështirë të përcaktohet saktësisht sa të huaj janë bashkuar me ushtrinë ruse. Analiza e BBC Russian, e cila ka shqyrtuar edhe numrin e të huajve të vrarë dhe të plagosur, sugjeron se të paktën 20.000 persona mund të jenë regjistruar, përfshirë nga vende si Kuba, Nepali dhe Koreja e Veriut.

Edhe Ukraina ka pësuar humbje të mëdha ushtarake dhe gjithashtu ka pranuar luftëtarë të huaj në radhët e saj./koha/