U mor për ‘armëmbajtje pa leje’, ai arriti t`ia vjedhë armën polices brenda stacionit
Një ngjarje e rrallë ka ndodhur më 2 maj 2025 në Mitrovicë, ku një person i dyshuar për armëmbajtje pa leje, arriti të vjedhë armën zyrtare të një polici brenda stacionit dhe të dalë nga aty me të në brez – pa u vërejtur nga askush.
Burime të Gazetës Sinjali konfirmojnë se bëhet fjalë për Riad Tahirin, 25-vjeçar, i cili po intervistohej në Stacionin Policor të Mitrovicës së Jugut për rastin e armëmbajtjes pa leje.
Gjatë kohës sa ndodhej në stacion, ai ka përfituar nga pakujdesia e zyrtarëve dhe ka marrë një revole Gllock me karikator dhe 15 fishekë, që ishte armë personale e një zyrtari policor.
Për më tepër, me armën e vjedhur të fshehur në brez, Tahiri është transferuar në Stacionin Policor në Mitrovicë të Veriut, pa u kontrolluar siç duhet. Vetëm pas mbërritjes në stacionin tjetër, gjatë kontrollit të plotë, arma është zbuluar në trupin e tij.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij për 48 orë dhe është iniciuar rasti për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Vjedhje e rëndë”. I dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ky rast ka ngritur alarmin për mangësitë serioze në zbatimin e protokolleve të sigurisë brenda stacioneve policore dhe pritet të pasohet me masa të brendshme disiplinore ndaj zyrtarëve përgjegjës.
Burime të sigurta konfirmojnë për Sinjalin se tashmë ka nisur një hetim i brendshëm ndaj dy zyrtarëve policorë – hetuesit që po merrej me intervistimin e të dyshuarit dhe zyrtares që la armën e saj në çantë, jashtë çdo standardi sigurie.
Sipas informacioneve të sigurta, objekti i hetimit është shkelja e rëndë e procedurave standarde operative (PSO), që kanë mundësuar një incident të paprecedentë: një i dyshuar për disa vepra penale të mbetet i pambikëqyrur në zyrë, të gjejë armën zyrtare në çantë, ta vjedhë dhe ta fshehë në trup, duke u transferuar më pas në një stacion tjetër policor pa u vërejtur asgjë.
Hetuesi, që lejoi të dyshuarin të mbetet vetëm për disa minuta dhe zyrtarja policore, e cila e la revolen e saj në çantën personale dhe doli nga zyra, tashmë janë në fokusin e hetimeve të brendshme.
Siç mëson Sinjali, pritet që së shpejti të merren masa të përkohshme suspendimi ndaj të dy zyrtarëve, në mënyrë që t’i hapet rrugë procedurës disiplinore.

