U shpall i pafajshëm: Çfarë thanë dëshmitarët, dhe çfarë shkruante Konjufca në facebook më 2019?
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është shpallur i pafajshëm lidhur me akuzat për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.
Vendimi është shpallur sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, raporton Nacionale.
Kryetarja e trupit gjykues, Edita Çanta, tha se përgjatë procesit gjyqësor nuk është vërtetuar që Konjufca, sa ishte deputet opozitar, e ka kryer veprën penale për të cilën e akuzon Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Avokatja e Konjufcës, Arbnora Zeqiri, tha se përgjegjësia për këtë rast bie mbi Prokurorinë dhe Gjykatën, ndërsa procedurat e tejzgjatura nuk janë në interes të askujt.
“Gjykata Themelore në Prishtinë sapo shpalli aktgjykimin lirues ndaj mbrojtësit tim, Glauk Konjufca, lidhur me aktakuzat për përdorimin e armeve apo mjeteve të rrezikshme. Konsiderojmë që ky vendim ka qenë i pritur edhe nga ana e mbrojtjes edhe me bindjen tone ka qenë i pafajshëm lidhur me akuzat e përdorimit të armeve apo mjetit të rrezikshëm. E konsiderojmë si vendim të drejt dhe në përputhje me gjendjen faktike të cilës i mungojnë provat dhe argumentet me të cilat do të vërtetohej e kundërta”, tha ajo.
Megjithatë, duket se në këtë rast ka dështuar me të madhe Prokuroria Themelore e Prishtinës. Kjo pasi Konjufca në vitin 2019 vetë kishte shkruar në facebook se ka hedhur gaz.
“Jam penduar që kam hedh gaz lotsjellës në Kuvend. Ish pas dashtë me marrë një allti me gaz e me gjujt qeverinë. Gjykata paska pasë me më shpall të pafajshëm e me më liru. Nuk kanë thane kot pleqtë – njeri hjek për mend”, kishte shkruar Konjufca.

Duket se ky postim as nuk është dorëzuar në gjykatë për shqyrtim. Ndaj kësaj, ka reguar gazetari Vehbi Kajtazi.
“Kush e kapi gjyqtaren Edita Çanta? Kush e kapi Gjykaten qe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca e shpalli te pafajshem? Vete kryetari i Kuvendit e ka pranu qe ka hedhur gaz, por i ka rene pishman qe nuk ka perdorur allti me gaz. E gjyqtarja, Çanta tha se nuk eshte vertetuar se ai ka perdorur gaz. Ani, vec kallxona kush te kapi oj gjyqtare? Klani Pronto apo Klani i ketij pushteti?”, ka shkruar Kajtazi.
Çfarë thanë dëshmitarët?
Pjesa më e madhe e dëshmitarëve në gjykatë, duket se i dolën në mbrojtje Konjufcës, duke thënë se nuk e kanë parë teksa ka hedhur gaz.
Në njërën prej seancave, Grabovci në cilësinë e dëshmitarit ka thënë se nuk i kujtohet që Konjufca ka hedhur gazë.
Ai ka thënë se deputetet tjerë të VV-së i ka parë duke hedhur gaz.
“Nuk më kujtohet se z. Konjufca ka hedhur ndonjëherë gaz lotsjellës. Kjo është ajo që mua me kujtohet. E për të tjerët unë mujë me dëshmu, edhe për Albin Kurtin dhe për të tjerët”, ka thënë Grabovci, Betimi për Drejtësi
Edhe deputeti Pal Lekaj kishte thënë se nuk i kujtohet që Konjufca të ketë hedhur gaz lotsjellës.

