U sulmua fizikisht nga prindi i studentit, flet profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë
Pasi u sulmua nga prindi i një studenti, ka folur profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë, Hatixhe Latifi Pupovci.
Nëpërmjet Facebookut, Pupovci ka thënë se prindi e sulmoi atë pasi ishte i pakënaqur me notën që ia kishte vënë djalit të tij.
Postimi i plotë:
Të dashur miq,
Po më vjen shumë keq për shqetësimin që ka mund të ju sjell lajmi që veç qenka nëpër portale rreth sulmit që më ka ndodhur. Ka qenë një sulm krejtësisht i pa pritur dhe i pa provokuar, i shkaktuar nga motive të pa kuptueshme për mua. Studenti i pakënaqur me notën e provimit ka mënyra të tjera akademike për të kërkuar drejtësinë, ndërsa ndërhyrja e prindit është krejtësisht e pa pranueshme. Është për keqardhje që ky prind, edhe vet mjek, nuk e kupton se sa me rëndësi është mbajtja e kriterit në një lëndë kyçe për formimin e çdo mjeku të ardhshëm. Por, zgjedh dhunën si rrugë për arritjen e qëllimit të vet. Si duket specialisti i gjinekologjisë, dr. Arsim Gashi, nuk e ka herën e parë që përmes dhunës tenton t’i zgjidh problemet. Prandaj pres që ta merr dënimin e merituar.

