U vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj të dyshuarve për vjedhjen e 2.1 milionë eurove

Gjykata Themelore në Prishtinë u ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj të tjerë dy të dyshuarve për vjedhjen e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit në kuadër të Ministrisë së Financave.

Të dyshuarit Kadri Shala dhe Labinot Gruda do të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim deri në muajin maj të këtij viti.

Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Gashi ka deklaruar se Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti Special ka vazhduar masën e paraburgimit për dy të pandehurit edhe për dy muaj.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vazhduar masën e paraburgimit për të pandehurin K.SH. në kohëzgjatje edhe për dy muaj, respektivisht prej datës 23 mars 2021 deri me datë 22 maj 2021, ndërsa edhe të pandehurit L.G. i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj, prej datës 17 mars 2021 deri me datë 16 maj 2021”, u tha në përgjigjen e Gashit.

Ndryshe në fund të muajit tetor të vitit 2020 u bë e ditur se nga Thesari i Shtetit janë “avulluar” 2.1 milionë euro.