Udha e një manifestimi – si nisi “Flaka e Janarit” në Përlepnicë
Sot bëhen 35 vite kur për herë të parë në Përlepnicë u organizua përkujtimi i martirëve të rënë vëllezërve Gervalla, Kadri Zekës si dhe Rexhep Males e Nuhi Berishes
Në një të diel pasdite te 15 janarit 1991 grupe njerëzish nga anë të ndryshme të Kosovës dhe trojeve tjera shqiptare, kishin mësyrë fshatin Përlepnicë, për të marrë pjesë në përkujtimin e parë publik, që u bëhej martireve të rënë, vëllezërve Gervalla, Kadri Zekës si dhe Rexhep Males e Nuhi Berishes, në këtë pjesë të Anamoravës.
Ishin bërë nëntë vjet nga rënia e Jusufit, Kadriut e Bardhoshit si dhe shtatë nga rënia e Rexhepit e Nuhiut. Populli edhe më parë i kishte nderuar në përvjetor duke i vizituar familjet e tyre dhe duke ndarë dhembjen e krenarsië së bashku, ani pse nën ankthin e sundimit totalitar.
Edhe atë të diel, 15.01.1991, po kjo pjesë e popullit po kalonte para uniformave blu, u nënshtrohej kontrollimeve të rrepta, malltretimeve, ofendimeve e kërcenimeve… po nuk e thyente rrugën, nuk shmangej nga caku, të cilët ia kishin mësyrë: Përlepnicës, ku në shtëpinë e kulturës, me një program kulturor do të përkujtoheshin martirët.
Dhe shkuan. Emrat e të pranishmëve u regjistruan nëpër notesat e policisë serbe dhe akoma ruhen atje.
Manifestimi u mbajt megjithëse ishte nje ftohmë e madhe, një mjegulll që kishte pushtuar fshatin dhe rrugën deri në fshat, megjithëse policia kujdestaroi në magjistralen Gjilan – Bujanoc, te vendi i quajtur “Bunari i Përlepnicës.
Po më tej nuk mësyu sigurisht shkaku i llogarive të veta. Po edhe duke e parë tërë atë vullnet të një populli të shtypur, që më nuk dëshironte t`i përkujtonte ne mënyrë të heshtur ata që ishin flijuar për interesa gjithëpopullore.
Krejt kjo nismë, ky përkujtim i parë publik në Përlepnicë ishte meritë e rinisë sonë të shëndoshë dhe të frymëzuar edhe nga idelali e vepra e martirëve po edhe meritë e atyre që nuk u zbrapsen nga kërcnimet policore të nje pushtuesi.
E kështu u krijuan pastaj disa parakushte më të mira që vitin e ardhshëm kur e tërë shqiptaria kudo që ishte e përkujtoi në mënyrë dinjitoze 10-vjetorin e rënies së vëllezërve Gervalla dhe Kadri Zekes, këtu te ne në komunë të Gjilanit të jepen edhe idetë e para për konturet e një manifestimi që synon të bëhet tradicional.
Me formimin e Shoqatës së pavarur kulturore e cila ringjali jetën kulturore u krijua edhe një mundësi e mirë që manifestimi të ketë vërtetë karakter kulturor dhe artistik dhe kështu edhe ndodhi.
Pas një sërë takimesh pune e përgaditjesh manifestimi iu dha një formë e cila dy ditë radhazi iu prezentua dashamirëve të artit dhe mysarifeve te shumtë anëkënëd Kosovës e më gjerë.
Me 18-19 janar 1992 për herë të dytë me një manifestim kulturor u përkujtuan publikisht martirët ndërsa për herë të parë me emrin e manifestimit “FLAKA E JANARIT”.
Kjo metaforë nuk ishte e rastit. Janari që konsiderohet si muaji më i ftohtë i vitit, skuqi borën e dimrit të vitit 1982 me gjakun e bijëve më të shtrenjtë të cilet ky pushteues serbosllav i kishte detyruar e ndjekur në ekzil prej nga s’pushonte zëri i tyre për lirinë e Kosovës.
Ky zë fuqimisht shpërtheu edhe pas rënies së tyre dhe mori përmasa kombëtare. Nata e 17 Janarit, koincidonte edhe me vdekjen e kryetrimit shqiptar Skëndërbeut, të cilin Jusufi do ta përmendë pak çaste para vrasjes.
Po edhe më vonë pas dy vjetesh kur trimërisht flijohen duke i mbrojtur aspiratat e popullit shqiptar për liri e pavarësi, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha në lagjen me varfëri më të madhe në Kosovë.
Janari përsëri do të kuqëlohet dhe do të ngrohë borën me vrushkuj gjaku të një rinie që vritej padrejtësisht.
Dhe pikërisht këta vrushkuj gjaku, që dredheshin herë në ekzil e herë në atdheun e robëruar i dhanë emrin këtij manifestimi sepse nga afshi i zjarrtë për liri ai gjak i derdhur shponte boren e ftohtë, ortiqet e akullta dhe ngritej në flakë, prej nga një popullit të robëruar i dëftohej profili i lirisë, një liri me aromë gjaku, të cilen duhej ta kërkonte nëse dëshironte për ta shijuar.
Sa ishte e madhe kjo dëshirië e vërtetuan ngjarjet pasuese të cilat zgjuan edhe ata shqiptarët të cilet diktatura moniste i kishte mashtruar me liri të rrejshme gjysmë shekulli me radhë.
Andaj nuk habit fakti që sot në udhën që shpie për liri ecën pothuaj një popull i tërë.
Do të ecë po kësaj udhe edhe manifestimi ynë tashmë tradicional “FLAKA E JANARIT” dhe për çdo vit do t`i nderojë të rënët, por do t`i shkundë edhe të gjallët, qoftë përmes fjalës së ngrohtë, qoftë përmes vargut skenik, vargut metaforik, qofte edhe përmes kengës, e telit të hollë të çiftelisë si dhe bisedave të përbashkëta, për herë të parë deri ku kemi arritur në këtë udhë që shpia kah liria./Agmia


