Udhëtarët e autobusit kosovar të aksidentuar në Serbi janë jashtë rrezikut për jetë

Nga kompania Zhitia Tourist kanë njoftuar se janë rrugës për në Slloveni, pas aksidentit të mbrëmshëm, ku një autobus i kësaj kompanie u rrokullis në Kupci të Madh afër Krushevcit, në Serbi.

Sipas tyre, nëntë personat e lënduar janë jashtë rrezikut për jetë.

Autobusi i linjës Prishtinë-Graz (Austri) u aksidentua rreth orës 22:00.

Qeveria e Kosovës, me anë të një komunikate në Facebook ka thënë se një zyrtar i tyre ka udhëtuar drejt vendit të ngjarjes.

“Zyrtari ynë ndërlidhës është rrugës për në spitalin e Krushevcit për t’i vizituar të lënduarit. Të lënduarve u urojmë shërim sa më të shpejtë. Institucionet e Republikës së Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm për të bërë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar të prekurit nga ky aksident”, thuhet ndër të tjera në këtë komunikatë.