Uglarin e Gjilanit e ‘merr’ uji – banorët kërkojnë zgjidhje jo improvizime me shtratin e lumit
Shirat e 24 orëve të fundit, kanë paralizuar jetën në komunën e Gjilanit. Gjendja më e vështirë, si asnjëherë tjetër më herët, paraqitet në vendbanimet dhe fshatrat përreth lumenjve.
Uglari, një fshat ky ndërmjet Malishevës dhe Pogragjës, thuajse është mbuluar nga uji. Pamjet qe ka publikuar faqja Uglari e dëshmojnë këtë.
Në fshatin Uglar, prej shumë vitesh banorët përballen me të njëjtin shqetësim: shtrati i lumit nuk është i rregulluar dhe kurrë nuk ka qenë funksional.
Çdo reshje e fortë e kthen lumin në rrezik të drejtpërdrejtë, duke bërë që uji të dalë nga shtrati dhe të marrë me vete gjithçka që gjen përpara.
Banorët, me forcat e tyre, kanë tentuar disa herë ta zgjerojnë dhe hapin shtratin, por këto ndërhyrje s’kanë qenë kurrë zgjidhje afatgjatë.
Problemi është teknik, strukturor dhe kërkon ndërhyrje profesionale e jo improvizime që mbajnë vetëm përkohësisht.
Ky shqetësim është i vjetër sa vetë fshati, dhe çdo vit përsëritet e njëjta histori: rrezik për pronat, rrezik për tokat, rrezik për njerëzit.
Është e qartë se Uglarit i nevojitet investim i mirëfilltë në rregullimin e shtratit të lumit dhe në infrastrukturën e urës, e cila është po aq e rëndësishme.
Fshati meriton siguri, stabilitet dhe një zgjidhje të qëndrueshme, jo shtyrje të pafundme dhe jo premtime që nuk shndërrohen në punë konkrete.
Shpresojmë që institucionet përfundimisht të ndërhyjnë, sepse situata është reale, e dukshme dhe e dokumentuar në çdo reshje shiu.
Gjendjen e rëndon edhe fakti se uji i lumit është ndotur rëndë nga mbetjet që vijnë nga qyteti, duke krijuar erë të rëndë dhe të vazhdueshme gjatë gjithë kohës.
Kjo situatë po dëmton jetën e përditshme të banorëve dhe mjedisin e fshatit./foto nga faqja Uglari/Mediafokus


