Ujësjellësi nuk pranon 2-euroshin, 66 mijë euro false në tre muaj
Me monedhat metalike prej 2 eurove qytetarët nuk mund të paguajnë faturat e ujësjellësit.
Kompania rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka disa ditë që ka ndaluar marrjen e kësaj monedhe nëpër të gjitha arkat që ka në Prishtinë.
Vendimi ka ardhur pasi bankat ia kanë refuzuar një shumë parash kësaj ndërmarrjeje, për arsye se ato ishin false.
Një gjë e tillë, sipas saj, do të vazhdojë derisa ata të pajisen me aparate për identifikimin e monedhave të falsifikuara.
“Në të gjitha pikat e shitjes e kemi ndaluar tash për tash marrjen e monedhave prej 2 eurove, sepse kemi dëgjuar kohëve të fundit se po qarkullojnë monedhat prej 2 eurove të falsifikuara. Kjo gjendje do të mbetet kështu derisa të shohim mundësinë e blerjes së aparateve për identifikimin e monedhave të falsifikuara, sidomos metalike”.

