Ulet mosha për vaksinim në 40+
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se mosha e vaksinimit që deri tani ishte 55 vjeç, është ulur në 40 vjeç e sipër.
Kjo krijon mundësi për vaksinim të një numri më të madh të qytetarëve, sepse përfshihen më shumë grup mosha.
“Nga dita e sotme, për marrje të vaksinës kundër COVID-19, përmes platformës e-Kosova termine mund të caktoj edhe kategoria e qytetarëve të moshës mbi 40 vjeç”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Në të njëjtën kohë termine mund të caktojnë edhe kategoritë të cilat më herët janë përfshirë në procesin e vaksinimit kundër COVID-19 si:
– Personat me sëmundje kronike pa dallim moshe (me dëshmi mjekësore);
– Punëtorë shëndetësorë; Mësimdhënës, Forcat e sigurisë, pjesëtarët e Këshillit të Sigurisë së Kosovës; pjesëtarët e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, pjesëtarët e Autoritetit Civil të Kosovës, zjarrfikësit;
– Qytetarët të cilëve u kërkohet vaksinimi nga Ambasadat për udhëtim jashtë vendit (për viza).
– Zyrtarët publikë;
– Zyrtarët e Agjencionit të Aviacionit;
– Agjencia Shtetërore e Navigimit Ajror;
– Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”;
– Zyrtarët doganorë;
– Gazetarët;
– Gastronomia.
Ministria tërheq vërejtjen se cilado kategori e qytetarëve që merr mesazhin/njoftimin për vaksinim, me rastin e paraqitjes në qendrën e vaksinimit sipas vendbanimit të tij, të ketë me vete dëshmi për kategorinë të cilës i përket.
Vëmendje: Të gjithë ata qytetarë të cilët kanë aplikuar për marrje të vaksinës nga data 29.03.2021 – 15.06.2021 dhe nuk janë kontaktuar, njoftohen se mund ta caktojnë terminin për vaksinim në platformën e-Kosova përmes llogarive të krijuara më parë.

