Unë jam brezi i dytë i mërgimit…

Majlinda Sulejmani

Unë jam brezi i dytë i mërgimit. Brezi që ka lindur mes valixheve të hapura, mes frikës së viteve të ’90-ta dhe shpresës që prindërit e mi e mbajtën fort për me na rritë larg luftës.

Unë nuk e kam jetu luftën drejtpërdrejt, por e kam ndje në frymën e nënës sime, në heshtjen e babait tim, në sytë e gjyshërve që dridheshin sa herë përmendej Kosova.

Gjyshërit e mi ishin gjenerata që e ka bartë barrën ma të rëndë. Ata u larguan nga shtëpia me shpirt të thyer, me zemër të mbushur me dhimbje e mall.

Shumica prej tyre sot nuk janë më. Mungesa e tyre është një plagë që nuk shërohet kurrë.

Prindërit e mi ishin të rinj në vitet e ’90-ta – të rrahur nga jeta, nga frika e luftës, nga punët e rënda të mërgimit.

Ata nuk patën rini të zakonshme. Ata u rritën shpejt, u plakën shpejt, u sakrifikuan shumë.

Dhe sot…e shoh se ata po i afrohen “rreshtit të parë”.

E shoh thinjën, lodhjen, kujtimet që rëndojnë ma shumë se vitet.

E shoh se koha që unë gjithmonë mendova se do ishte e pafundme, sot po ikën me një shpejtësi që më frikëson.

Unë jam brezi i dytë. Brezi që i ka parë dy botë: atë të luftës që la prapa dhe këtë të mërgimit që po e jeton sot.

E kur mendoj për shtëpinë…më kap një dhimbje që s’di me ia vu emrin.

Dikur, shpija jonë ishte plot. Plot njerëz, plot zëra, plot jetë.

Gjyshërit rrinë në odë, fëmijët vraponin, të gjithë qeshnim, hanim, jetonim bashkë.

Sot…ngadalë-ngadalë po zbrazet. Njëri mungon, tjetri s’vjen më, tjetrit i ka mbetë veç fotografia në mur.

Edhe ata që janë gjallë… kanë ndyshuar, kanë heshtur, janë lodhur.

Më duket sikur të gjithë po ikin nga pak – disa me trup, disa me kujtime, disa me heshtje.

Dhe unë, si brezi i dytë, e kam frikë këtë zbrazje.

E kam frikë se dikur nuk do ketë kush me e mbajtë këtë histori gjallë.

Por kjo histori – historia e mërgimtarit, historia e familjes sime, historia e popullit tim – jeton ende në mua.

Në zemrën time, në fjalët e mia, në kujtimet që nuk dua t’i humb.

Dhe në fund, kur e mendoj gjithë këtë rrugë që kemi bërë si familje, më del një e vërtetë e hidhur:

Atëherë shpija jonë ishte plot…sot po zbrazet.

Dhe kjo më dhemb ma shumë se çdo gjë tjetër. E vajza ime ështe brezi 3-të…