“Unë me krejt hekat e dynjasë e mrrina niqinshin…”
Çfarë dhurate më të madhe mund të kemi sesa të arrijmë një shekull jetë? Cili mund të jetë urimi më i mirë, cila mund të jetë trashëgimia më e mirë se t’u tregosh njerëzve atë që ke përjetuar nëpër katër e më shumë gjenerata…
Nazife Cakolli është njëra nga këta personazhe që kanë shkelur shekullin.
Nazifja është e lindur më 11.11.1918 në Buxhenicë. Familja e saj, me prejardhje nga Vrapca (Banja e Sijarinës), tani jeton me familje në Kamenicë – Dardanë.
E vizituam për ditëlindjen e njëqind të saj; një shekull jetë, përkujdesin që e kishin familja për të ishte për t’u lakmuar; kishin organizuar një festë me gjithë familjen (me 150 musafirë) për t’i festuar ditëlindjen nanës, gjyshes, tezes e hallës shekullin e jetës. Kishte edhe musafirë nga Turqia që kishin ardhur vetëm për të.
Lokja Nazife, ishte e ngazëllyer dhe shumë e lumtur për përkujdesin nga familjarët:
“Lokes unë kam pasë fëmini të vështirë, po jo veç unë, krejt n’kohën tonë e kanë pasë jetën e shtirë, menzi e sigurojshmi bukën e gojës. U martova, po edhe te burri û kanë jeta e shtirë, ma të shtirë naj bani lufta që u nis hala sa isha nuse (lufta e dytë botërore), û kanë shtirë; vishin ushtart në guhë t’huj lypshin me hangër, me ju pjekë pula.
Unë isha nuse e re, shum u kanë shtirë. Sa mendum se u kry lufta, burrin e muren, shkoi në ushtri; e çun qatje në Tivar; na thojshin s’ka m’u kthy po shyqyr, ai u kthy edhe jetum bashk edhe 50 vjet (burri i saj ishte i mbijetuar i masakrës famekeqe të Tivarit)”.
Me gjithë këto vështirësi, lokja ende ishte mirë me shëndet e me kujtesë. Pa vështirësi e vazhdon tregimin:
“Përpara û kan jeta e shtirë lokes, u dashke m’i ba puntë me shkue n’ara, m’i kshyrë gjanë edhe me jav bajtë gajlen fmive. Kur ishke koha e punëve n’ara u dashke m’e ba bukën për argat edhe me jav çue te ara deri dy tri kilometra n’kamë, e apet m’u kthy n’shpi m’i vazhdue puntë e shpisë.
Jetën me burrin e kam pasë t’mirë; s’kam pasë probleme, po skamja ka ni herë t’duket se po t’bjen probleme. Kam punue shum edhe punë dore; kam marue për fminë çorapa, xhampera e dorza t’leshta se me ble s’k’ishum. Kam punue edhe n’vek shum pshallaka, jana, qylyma e krejt shka u lyp pi nji gruje e nane n’at kohë”.
Edhe sot fëmijët e saj i ruajnë shumë nga punimet e dorës së saj me fanatizëm dhe krenari, një art tradicional që është në zhdukje.
Duke pasur parasysh jetën e shqiptarëve të asaj kohe edhe familja e lokes s’kishte si të ishte ndryshe me veshtërsitë e njëjta:
“Une lokes i kam rritë pesë fmi (tre djem e dy vajza), krejt jetën e kemi kalue në katun, në Krilevë; nuk û kanë lehtë qysh thashë: edhe ma heret jetë bujqësore ma, po faleminderit pi Allahit, si m’u rriten fmija dola n’salamet edhe tana i kam ditë lezet jetës se ma dhanë krahin e une u rahtova.
Tash jam shum e lumtun me fmitë e mi; po me kshyrin mirë, po kujdesen për mue, nuk po heki për kurgja n’dynja t’Zotit”.
Porosinë e fundit lokja na tha: “Une me krejt hekat e dynjasë e mrrina niqinshin, ju t’ritë paçi shnet e gjitha t’mirat e Zotit kofshin mbi juve”. (Kamenicë, 11 nëntor 2018)
/Muhamed Sadriu–‘Bukuria e Rrudhave’/
…………………………………………………………
Note: Mediafokus.info mban ekskluzivitetin e publikimit të artikujve nga libri ‘Bukuria e Rrudhave’. Ndalohet rreptësishtë kopjimi dhe përdorimi i tekstit apo copëzave të tij.


