Uran Ismaili kujton fjalët e fundit me dhëndrin: ‘Po e nxej filxhanin, Bekim, e po të pres për espresso”
Nënkryetari i PDK’së, Uran Ismaili, ka bërë një dedikim prekës për dhëndrin e tij, Bekim Guda, i cili ndërroi jetë dje, raporton Mediafokus.info.
“Dhëndër, shoku im i ngushtë, do të të mbaj në mend ashtu siç ke qenë: njeri i mirë, i veçantë, i hareshëm, një shaka në fillim dhe gjithmonë një “kur po shihemi” në fund”, shkruan Ismaili.
Postimi i Uran Ismailit:
Kushdo që të ka takuar një herë, të ka mbajtur në mend përgjithmonë. Një shaka në fillim të bisedës, ka qenë stili yt. Për ty, nuk ka pasur rëndësi mosha dhe secilit ia ke kushtuar vëmendjen e duhur.
Kështu ishte edhe me mua. Prej kur isha 14 vjeç, çdoherë më je gjetur afër. Muhabetet tona s’kanë pasur të sosur, e secilën herë që jemi ndarë – “kur po shihemi” ishte fjala e fundit.
Edhe kësaj radhe, një orë para vdekjes tënde, ashtu e lamë – “po e nxej filxhanin, Bekim, e po të pres për espresso”. Qeshëm dytë.
Gati një jetë të kam njohur, e sa pak po më duket.
Dhëndër, shoku im i ngushtë, do të të mbaj në mend ashtu siç ke qenë: njeri i mirë, i veçantë, i hareshëm, një shaka në fillim dhe gjithmonë një “kur po shihemi” në fund.
Deri atëherë kur do të shihemi, do t’i mbaj në mend të gjitha, e nuk do ta harroj kurrë dashurinë e madhe që ma ke dhënë.
Me humbjen tënde, një copë e madhe e shpirtit më ka vdekur edhe mua.
Pusho në paqe, miku im i shtrenjtë!

