Uzunaliq: Pensionistët kanë nevojë për ilaçe dhe lehtësira në pagesa të obligime

Rasti i Italisë tregoi se pleqtë janë kategoria më atakuar nga coronavirusi.

Pensionistët kosovarë, shumica prej të cilëve vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike, mund të jenë mosha më e rrezikuar te ne.

Shumica prej tyre marrin pensione modeste, me të cilat nuk mund t`i sigurojnë as gjerat elementare për jetesë e lere më të blejnë barna.

Duke e ditur këtë gjendje, Makfire Osmani Uzunaliq, anëtare e Kuvendit të Organizatës së Pensionistëve u ka bërë thirrje organeve shtetërore, qendrore e komunale që të shqyrtojnë mundësitë për ndihmë kësaj kategorie.

Në kuadër të masave të ndërmarra nga organet kompetente qendrore dhe komunale për parandalimin e koronavirusit, propozoj që të shqyrtohet mundësia për ndonjë ndihmë modeste financiare ose lehtësime në pagesa të obligimeve dhe sigurim të ilaçeve për pensionistët që nuk kanë përkujdesje familjare dhe as ndonjë burim tjetër financiar.

Në këtë pako duhet të përfshihen pensionistët familjarë kontribut pagues që marrin 90 euro në muaj dhe nuk kanë burim tjetër financiar, kategoria e pensionistë invalidorë dhe me aftësi të kufizuara dhe njerëzit tjerë në nevojë, thotë Makfire Osmani Uzunaliq./mediafokus.info