Vaksinimi kundër COVID-19 nuk duhet të jetë i obligueshëm
Rreth 56% e popullatës po hezitojnë ta marrin vaksinën anti-COVID, sipas një testi publik, ka bërë të ditur në një prononcim për Ekonomia Online deputeti nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj.
Ai thotë se injektimi kundër COVID-19 duhet të bëhet obligues, derisa për ata që refuzojnë thotë se dënimet mund të parashihen me ligj.
Dreshaj ka thënë se menaxhimi i pandemisë nuk nënkupton vetëm vaksinim, pasi që në Kosovë, sipas tij, ende nuk ka ndodhur as vaksinimi masiv.
Mirëpo ndryshe mendon, ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, pasi që nuk po e sheh të arsyeshme që vaksinimi kundër COVID-19 të jetë i obligueshëm, derisa konsideron se për një gjë të tillë vendosin vetë qytetarët.
Ndërsa kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, thotë se duhet të mbizotërojë e drejta individuale e secilit për t’u vaksinuar, përkundër faktit që mosmarrja e vaksinës mund të rrezikojë të tjerët.
Në Kosovë deri më tani janë vaksinuar 204,777 persona derisa prej kësaj shifre, 48,437 janë të vaksinuar edhe më dozën e dytë.

