Valltari lirik, Xhemajl Rrahimi, mbetet i pavdekshëm pavarësisht viteve
Njëri ndër valltarët më të mirë të Grykës së Karadakut, Xhemajl Rahimi, nga fshati Stançiq, me vendbanim në Zhegër, prej tre vitesh i takon botës së përtejshme.
Xhema mbetet i pavdekshëm, jo vetëm në zemrat dhe kujtesën e familjarëve e të miqve të ngushtë, po edhe të atyre që njohën vlerat e tij në art.
Dedikim për të ka bërë vëllau Musah Rahimi.
‘Ishte vdekja ajo që të mori dhe të ndau nga ne dhe nga kjo botë përgjithëmonë. Njerëzit e mëdhenj nuk vdesin kurrë, sepse mbahen në mendje për vepret e tyre që lënë gjurmë. Vëlla i dashur, ishe një personalitet i kompletuar: artist i merituar, patriot, bujar, miqësor. Punove me vullnet për familjen dhe për vlerat e çmuara kombëtare të Dardanisë Iliriane. I dashur vëlla gjithmonë do mbetesh në kujtesen dhe në zemrat tona, sa të jemi në këtë botë. Jemi krenarë që të kishim aq të madhrishëm’.
Shoku i tij i ansamblit “Bajram Curri”, Shaqir Rrustemi kishte bërë një dedikim të veçantë për Xhemajlin, pas lajmit për vdekjen e tij.
‘Vdekja na e mori pa e parë, madje edhe pa ia bërë nderimet sipas traditës sonë me shekuj e shekuj.
Vdekja u tregue e pamëshirshme ndaj tij, anise ishte një familjar shembull për të tjerët, një shok e mik i rrallë, një punëtor i palodhur i këtij vendi dhe mbi të gjitha, një Njeri që do të kujtohet gjatë.
Ansambli i Muzikës Autoktone “Bajram Curri” nga Shurdhani ka mbetur pa valltarin thuaja më të mirin, i cili la nam nëpër skenat kulturore brenda e jashtë Kosovës, për një periudhë mëse 40 vjeçare.
Do të mbahet mend dhe do të cilësohet ndër valltarët më lirik të valles burimore shqiptare, paraqitja e të cilit u duartrokit gjatë nëpër skenat kulturore.
Emri i tij do të jetë emër mburrje e krenarie për Ansamblin e Muzikës Autoktone “Bajram Curri” nga Shurdhani, si dhe vlerë e shquar dhe e paharruar e folklorit burimor shqiptar’.
Ky ansambël ka humbur edhe valltarin tjetër të spikatur, Hamit Aliun. /Mediafokus.info


