Varroset në Vushtri 27-vjeçari që u vra të shtunën në Mitrovicë
Me dhembje të mëdha është varrosur sot në Dolak të Vushtrisë, 27-vjeçari Valmir Fazliu, i cili u vra të shtunën në Mitrovicë, derisa ishte duke shitur fidane në tregun e gjelbër. Besohet se ai nuk e ka njohur dorasin më parë.
Për djalin e hasretit, i cili u privua nga jeta në moshë të re, nuk kanë dashur të flasin nga familja e tij e ngushtë. Pak para se të varrosej, të afërm të viktimës thanë për Gazetën Express se familja nuk është e gatshme të prononcohet për media.
Ndërsa, një banor i fshatit që e njihte mirë 27-vjeçarin e ndjerë, tha se ai nuk ka pasur probleme me dorasin në të kaluarën, që sipas tij janë njohur në treg, ditën tragjike.
Sipas policisë në Mitrovicë, bazuar në hetimet fillestare, dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një zënke çasti ndërmjet të dyshuarit dhe viktimave të rastit.
Rasti është cilësuar si “vrasje e rëndë”, ku ishin të përfshirë katër persona. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri nga i dyshuari Sh. A., 35 vjeçar, 27-vjeçari vdiq, ndërsa dy të tjerë janë plagosur dhe me urgjencë janë dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë.
Gjithashtu lëndime trupore ka pësuar edhe 35-vjeçari i dyshuar, i cili më pas ka pranuar edhe trajtim mjekësor.
Nga hetimet e zhvilluara deri me tani, njeri nga të lënduarit ka marrë plagë aksidentalisht. Ndërsa në vendin e ngjarjes pas ekzaminimeve të kryera, hetuesit policorë si prova materiale kanë gjetur dhe sekuestruar një armë pistoletë, tri gëzhoja dhe dëshmi tjera materiale që ndërlidhen me rastin.
Ndërsa, në mesin e dëshmitarëve është intervistuar edhe një zyrtar policor i cili në kohen e ngjarjes, ishte jashtë detyrës zyrtare dhe ndodhej afër personit të dyshuar, ka njoftuar policia.
Ndaj te dyshuarit Sh. A., Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar nga Gjykata caktimin e paraburgimit.
Në seancën dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit, të mbajtur para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe të dyshuarit i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

