Vazhdohet për një javë regjistrimi në disa komuna, për diasporën deri më 31 gusht

Shumica e komunave e kanë përmbyllur dje regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave. Në disa prej tyre, ky proces do të vazhdojë edhe për një javë, saktësisht deri më 24 maj.

Kështu është vendosur në mbledhjen e djeshme të Qeverisë së Kosovës, pas kërkesës së 11 komunave.

Komunat në të cilat është shtyrë afati i regjistrimit janë: Dragashi, Prishtina, Prizreni, Drenasi, Fushë Kosova, Skënderaji, Obiliqi, Ferizaji, Shtërpca, Kaçaniku dhe Gjakova.

Qeveria ka shtyrë edhe afatin për regjistrimin e diasporës, deri më 31 gusht. Kjo është bërë me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Regjistrimi ka nisur më 5 prill, kurse rezultatet preliminare pritet të publikohen brenda tre muajve.

Pa përfshirë diasporën, Kosova pritet t’i ketë rreth 1.5 milion banorë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Krahasuar me vitin 2012, Kosova pritet të ketë 200 mijë banorë më pak, si pasojë e rënies së natalitetit dhe migrimit nga vendi.