Vazhdon sot seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së me dëshmitarin e parë

Në Hagë vazhdon sot gjyqi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas njoftimit, seanca pritet të fillojë në orën 09:00, por ajo do të transmetohet me 45 minuta vonesë për publikun.

Seanca të tilla pritet të ketë edhe nesër e më pas më 17, 18, 19 dhe 20 prill.

Asnjë dëshmi nga e tërë marrja në pyetje nga Prokuroria e dëshmitares së parë gjatë katër seancave të ardhshme nuk do të dëgjohet nga shikuesit e interesuar.

Kjo është vendosur me kërkesë të Prokurorisë Speciale pasi ajo kërkoi të përfshijë materiale të reja në këtë seancë, në lidhje me dëshminë e dëshmitares së mbrojtur.

Mirëpo kjo gjë u kundërshtua nga mbrojtja me arsyetimin se nuk është ne përputhje me rregullat e Gjykatës Speciale.

Pas një përballjeje mes mbrojtjes, prokurorisë dhe kreut të trupit gjykues, prokuroria kërkoi që e tërë dëshmia katër ditore të mbahet në seancë të mbyllur, gjë që u aprovua nga kryegjykatësi.

Mbrojtja tha se sipas rregullores këto materiale mund të dorëzohen gjashtë javë pasi të bëhet kërkesa e jo në këtë mënyrë.

“Është pak proces i çuditshëm kështu”, u tha nga ana e mbrojtjes.

Gjykatësi tha se mbrojtja ka në dispozicion 14 orë për pyetje drejtuar dëshmitares së mbrojtur.

Më 4 prill 2023 ka filluar gjyqi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së pas më shumë se dy vjetësh.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.