Vazhdon sulmi i VV: Kushtetuesja ka shkruar rregull të ri që cenon demokracinë

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj aktgjykimit të publikuar sot nga Gjykata Kushtetuese, duke e cilësuar atë si një “vendim arbitrar” që “cenon demokracinë”. Në reagimin e saj, VV-ja pretendon se Gjykata ka “shkruar rregull të ri” dhe ka “tejkaluar” juridiksionin kushtetues.

“Ditët e vonesës për publikimin e vendimit njoftojnë pamundësinë për ta justifikuar vendimin arbitrar që cenon demokracinë”, thuhet në reagimin e VV-së të publikuar në Facebook.

Sipas partisë së Albin Kurtit, “kufijtë e ngushtë të arsyetimit sot janë rrjedhojë e gjerësisë së tejkalimeve që ia ka lejuar vetes Gjykata”.

Ndonëse në aktgjykimin e Kushtetueses thuhet qartë, VV thekson se vendimi “nuk e shpall” votimin e fshehtë antikushtetues dhe se “zhurma opozitare është rrëzuar sërish”.

“Por paragjykimi i Gjykatës për mungesën e konsensuesit politik, sa kohë që nuk është hedhur asnjëherë në votim, është ecje në rrugën e subjekteve bllokuese”, pohojnë nga kjo parti, duke konsideruar se “kjo rrugë na kthen pas aty ku nuk pati rezultat”.

VV paralajmëron për rrezikun që, sipas tyre, po përgatitet nga Gjykata: mundësia që pas 30 ditëve të dështimit nga partia e parë për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, kjo e drejtë t’i kalojë një partie tjetër.

Partia në pushtet kritikon gjithashtu Gjykatën për përdorimin e “analogjisë së pabazuar” me procedurat për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se Kushtetuta në atë rast ka përcaktime të qarta për raundet e votimit dhe pasojat e moszgjedhjes, ndryshe nga rasti aktual i konstituimit të Kuvendit.

“Në arsyetimin e Gjykatës dallohet se nuk ka asgjë tjetër përpos frazave të përdorura nga PDK mbi analogjinë”, thonë ndër të tjera nga VV.