Vdekja e 3-vjeçarit në çerdhe, arrestohet edukatorja
Policia ka arrestuar edukatoren e kopshtit privat në Fier, që kujdesej për fëmijën 3 vjeçar i cili humbi jetën aksidentalisht.
Në pranga është vënë shtetasja me inicialet R. B., 27 vjeçe, banuese në Fier.
“Pasi në kopshtin privat ku punon si edukatore, ka humbur jetën aksidentalisht fëmija i mitur 3 vjeç, i cili duhej të ishte nën mbikqyrjen e kësaj shtetaseje”, bën me dije policia.
Ngjarja:
Burimet bëjnë me dije se vogëlushi është dërguar në spitalin e qytetit nga edukatoret, por ai nuk ka pasur shenja jete. Mjekët kanë konstatuar se fëmija kishte ndërruar jetë dhe nuk kanë pasur mundësi për ta shpëtuar atë.
Fillimisht u dyshua se fëmija kish gëlltitur një send të fortë dhe pasi u paraqit në spital, mjekët konstatuan shenjë në qafën e tij, të cilat u dyshuan se ishin shkaktuar nga tentativa e edukatoreve dhe stafit të kopshtit për ta shpëtuar vogëlushin.
Por këto informacione janë dyshime paraprake të cilat do duhet të vërtetohen nga policia, që ka nisur hetimet mbi ngjarjen e rëndë. Ndërkohë që nga dëshmia e edukatoreve del se fëmija mund të jetë varur aksidentalisht nga kapuçi i xhupit.
Po sipas dëshmisë së edukatoreve, 3-vjeçari ka qenë duke u larguar nga kopshti në orën 13:00 dhe ka shkuar si çdo ditë të marrë çantën e varur në dhomën tjetër. Dyshohet se kur është zgjatur për të marrë çantën, kapuçi i xhupit të tij ka ngecur në varësen e çantave dhe për pasojë ai është mbytur.
Edukatoret, kur kanë parë që fëmija u vonua, kanë shkuar ta shohin, por e kanë gjetur pa shenja jete. Edhe pse kane tentuar t’i vijnë në ndihmë, nuk kanë mundur.
Ato kanë njoftuar ambulancën dhe e kanë shoqëruar drejt urgjencës, por mjekët kanë konstatuar se nuk kishte shenja jete.
Ndërkohë, familjarët e vogëlushit kanë kërkuar hetime dhe kanë denoncuar kopshtin. Ata kanë kërkuar të zbardhet e vërteta e ngjarjes.
“Jam daja i fëmijës. E kemi çuar në mëngjes në kopsht, vetëm kur na vjen lajmi, hajdeni se djalin e keni keq. Erdha me vrap në urgjencë. Aty u takuam me doktorin që ishte munduar ta kthente në jetë. Doktori tha se djali ka ardhur i pajetë. Ne i bëmë të gjitha çfarë ishin për të bërë dhe djalin nuk e shpëtuam dot. Më tha që kishte një shenjë në grykë. Për këtë duam drejtësi”, tha daja i fëmijës.

