Vdekja e 6-vjeçares, familjarët dyshojnë në gabim mjekësor
Një inspektim i jashtëzakonshëm është iniciuar në Spitalin e Manastirit, një ditë pasi vogëlushja Jana ndërroi jetë përderisa merrte trajtimin mjekësor.
Ministri Fatmir Mexhiti tha se do të shpalosin detaje sa më shpejtë të jetë e mundur rreth inspektimit, duke u ndërmarrë masat përkatëse.
“Shërbimet inspektuese janë atje dhe presim raportimin e tyre me ç’ rast do të informoheni. Me familjen jo, por do të kontaktojmë edhe me ta. Fillimisht të shohim çfarë është bërë gabim. Presim rezultatet e Inspektoratit sanitar shëndetësor dhe menjëherë do të njoftoheni çfarë masa do të ndërmarrim më tej”, deklaroi Fatmir Mexhiti, Ministër i Shëndetësisë.
Si jo rrallë herë në vend, ndodhin raste kur pacientë pa predispozita shëndetësore për të vdekur, humbin jetën në institucionet shëndetësore publike dhe private përderisa janë në trajtimet shëndetësore.
Andaj, Kryeministri Kovaçevski tha se patjetër duhet të ketë përgjegjësi, në bazë të gjendjes faktike.
“Të gjitha detajet, pasi t’i kenë autoritetet përkatëse, do të ndahen me publikun.
Drejtori i spitalit në Manastir, Aleksandar Obednikovski, ka kërkuar nga organet kompetente zbardhje sa më të shpejtë të rastit që të mos ketë dyshim se diçka po fshihet nga personeli i tyre.
Për rastin është caktuar prokurori përkatës publik dhe trupi i pajetë është dërguar për obduksion për të hetuar shkaqet.
Ende nuk është përcaktuar shkaku i vdekjes së vajzës”, thonë nga Prokuroria Publike.
Sipas informacioneve të deritanishme në opinion, 6-vjeçarja Jana ka ndërruar jetë në spital pasi ishte shtruar me simptoma të ftohjes.
Babai i saj tha dje për mediat se vogëlushes në Spitalin e Manastirit i është matur sheqeri në gjak me vlerën 9 g/mol, por mjekët i kanë bërë infuzion me glukozë në gjak, e cila e rriti më tej sheqerin në 19 g/mol, që sipas reagimeve të prindërve, më pas ajo vdiq.
Familjarët e saj, kanë hedhur dyshimet në gabim mjekësor gjatë dhënies së terapisë, pasi që sipas tyre e ndjera, përveç ftohjes, nuk ka pasur pasqyrë të rënduar shëndetësore apo sëmundje kronike të diabetit. /Alsat/


