Vdekja e Agon Zejnullahut, Sveçla: Kushdo që rezulton fajtor do të përballet me drejtësinë dhe do të marrë dënimin e merituar
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas vdekjes së Agon Zejnullahut nga Lipjani, që ndodhi të hënën. Në lidhje me rastin, pesë zyrtarë policorë janë ndaluar për 48 orë, për shkak të dyshimeve për përfshirjen e tyre në këtë ngjarje tragjike.
Sveçla në reagimin e tij ka shkruar se është thellësisht i prekur nga lajmi për vdekjen e qytetarit tonë para mëngjesit të djeshëm në Lipjan.
“Si Ministër i Punëve të Brendshme, sapo jam informuar për ngjarjen, kam kërkuar angazhim urgjent dhe profesional nga Inspektorati Policor i Kosovës si dhe bashkëpunim të plotë të Policisë së Kosovës gjatë këtij hetimi. Në kuadër të kësaj, hetimet tashmë janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal. Bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë është kyç për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë”, ka theksuar ai.

