Vdekja e papritur e autorit të “Shpirti i lënduar” pikëlloi shumë shpirtra

Vdekja e papritur e autorit të radio emisionit emblematik “Shpirti i lënduar”, Artan Bunjaku, pikëlloi shumë shpirtra në Gjilan, shkruan gazeta online Mediafokus.info.

Telegram ngushëllimi për vdekjen e tij ka dërguar edhe kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili Bunjakun e vlerëson si njeri shembullor dhe profesionist të jashtëzakonshëm.

“E nderuara familje Bunjaku,

I dashur miku im, baca Hasan,

Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen e papritur nga jeta të profesorit shumëvjeçar të matematikës, Artan Bunjaku.

Artani ka qenë njeri shembullor, profesionist i jashtëzakonshëm dhe njeri poliedrik.

Atë do ta kujtojmë përgjithmonë për kontributin e jashtëzakonshëm në edukimin e shumë gjeneratave në lëmin e matematikës, sikurse edhe për kontributin në fushën e kulturës e të gazetarisë.

Ju lutem, pranoni ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe. Ngushëllime po ashtu, edhe për kolegët e gjimnazit “Zenel Hajdini” dhe të shkollës së mesme teknike “Mehmet Isai”.

Lamtumirë, miku im!”, thuhet në telegramin e Hazirit.

Artan Bunjaku, profesori shumëvjeçar i matematikës në Gjilan, është ndarë papritur nga jeta në moshën 46-vjeçare të shtunën, raporton gazeta online Mediafokus.info.

Pakkush prej gjeneratave të reja e di se i ndjeri, përpos punës profesionale, ka shkëlqyer edhe si moderator i emisioneve në radio.

Më zërin e tij të veçantë dhe me elanin e tij, Bunjaku i bënte për vete të gjithë dëgjuesit.

Menjëherë pas luftës, Artan Bunjaku udhëhoqi emisione argëtuese interaktive në radion lokale të Gjilanit Megavox, duke bërë që të harroheshin paksa përjetimet e luftës.

Emisioni emblematik i tij ka qenë “Shpirti i lënduar”, ku çdo të premte pas mestanës, në vitet 2001/2002, i jepte emocion të fortë ‘shpirtave të lënduar’, të cilët dërgonin letra në radio, shkruan Mediafokus.info.

Artani ishte djali i veteranes së arsimit, Habibe Bunjaku, e cila ndërroi jetë para një jave dhe i Hasan Bunjakut, doajenit të gazetarisë së Anamoravës.

Vdekja e papritur e tij ka tronditur jo pak njerëz që e kishin për zemër.

Ndryshe, Artan Bunjaku la pas vete gruan dhe dy fëmijë./Mediafokus.info/