Vdekshmëria në Zvicër, sivjet më e ulët se kurrë

Ndryshe nga viti 2020, kur, për shkak të pandemisë vdekshmëria në Zvicër, në krahasim me vitin 2019 qe rritur për rreth nëntë për qind, ajo, në gjysmën e parë të 2021 është madje nën nivelin e vitit 2019, shkruan srf.ch.

Kjo statistikë bazohet në një studim të realizuar nga Qendra Universitare për Praktikën e Përgjithshme dhe Shëndetin Publik në Lozanë (Unisanté), trasnmeton albinfo.ch. Studimi bazohet në të dhënat paraprake nga Zyra Federale e Statistikave (BFS), ka bërë të ditur Unisanté.

Sipas këtij studimi vdekshmëria ka rënë për rreth 10.8 për qind në gjysmën e parë të vitit 2021 krahasuar me vitin 2020. Ajo ishte madhe më e ulët se në gjashtë vitet e mëparshme, me përjashtim të katër deri në gjashtë javët e para të vitit 2021, të cilat qëlluan nga fundi i valës së dytë të koronës.

Viti 2021 është gjithashtu viti i dytë me radhë që gripi nuk ka lënë gjurmë në vdekshmëri, përcjell albinfo.ch. Vala e tretë e koronës gjithashtu nuk pati një ndikim të dukshëm në vdekshmërinë e përgjithshme. Kjo do të thotë se shkalla e vdekshmërisë në vitin 2021 është më e ulëta që është regjistruar ndonjëherë në Zvicër, thuhet në deklaratë.