Vdes 18-vjeçari të cilit i kishte rënë lisi para 10 ditësh

Eron Shala, 18-vjeçari nga Prizreni ka ndërruar jetë dje në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Lajmi është bërë i ditur në raportin 24-orësh të policisë.

18-vjeçari po trajtohej në QKUK që nga 1 gushti i këtij viti, për shkak të lëndimeve që kishte pësuar atë ditë nga rrëzimi i një lisi në rrugën “Luan Haradinaj”, në Prizren.

Lamtumira e fundit atij do t’i jepet sot, nga ora 17:00, në varrezat e qytetit të Prizrenit.

Çka ndodhi më 1 gusht në Prizren dhe si përfundoi Eroni në QKUK?

Rreth orës 14:15 të datës 1 gusht, në rrugën “Luan Haradinaj”, në Prizren, te shtegu i këmbësorëve, u rrëzua një lisi, nga i cili u lënduan tre kalimtarë, mes tyre edhe Eroni.

Në gjendje të rëndë shëndetësore, Eroni ishte dërguar në QKUK, ku po trajtohej deri dje, kur ndërroi jetë.