Vdes 6-vjeçarja shqiptare, ishte nisur për dasmë në Shqipëri

Një ngjarje tragjike ka tronditur Italinë, teksa një vajzë e vogël 6-vjeçare shqiptare ka humbur jetën në një aksident.

Leila Kurti e cila u plagos në një aksident rrugor në periferi të Bolonjës, më 14 qershor, teksa ishte në makinë me prindërit dhe motrën e saj katërvjeçare, ka vdekur.

Vogëlushja, pas 18 ditësh qëndrimi në reanimacionin e spitalit Maggiore në Bolonja ndërroi jetë mëngjesin e djeshëm.

Ajo mbeti e plagosur në një aksident rrugor të ndodhur më 14 qershor në afërsi të unazës së Bolonjës.

Babai, dy vajzat dhe gruaja e tij ishin nisur drejt aeroportit Marconi për të marrë pjesë në një dasmë në Shqipëri.

Makina me të cilën po udhëtonin u përplas me forcë nga pas nga një makinë tjetër. Gjendja e Leilës u shfaq menjëherë shumë e rëndë. Mamaja dhe motra katër vjeçare mbetën të padëmtuara ndërsa babai pësoi disa fraktura, njoftojnë mediat italiane.

Familja shqiptare ka përjetuar një tragjedi të rëndë edhe tetë vite më parë pasi prindërit e Leilës së vogël kanë humbur një djalë, Markon, i cili vdiq në moshën 6-vjeçare.