Vdes 77-vjeçari i cili u therr dje me thikë
Ka ndërruar jetë 77-vjeçari Haxhi Balla, i cili ditën e djeshme u godit me thikë nga shtetasi Armando Boriçi, pas një konflikti për motive banale.
Boriçi plagosi gjithashtu dhe të birin e viktimës, shtetasin Aleks Balla 53-vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spital.
Nga raporti i policisë mësohet se konflikti nisi pas ndezjes së një zjarri nga Haxhi e Aleks Balla, tymi i të cilit përfundoi në dritaren e shtëpisë së 39-vjeçarit Boriçi.
Zënka nisi fillimisht me fjalë, për të eskaluar më pas në përdorimin e thikës nga ana e Armando Boriçit.
Policia arrestoi autorin, i cili duhet të përballet me akuzën e vrasjes.

