Vdes aktorja e njohur

Legjenda e Hollivudit, Diane Keaton, ka ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare, ka raportuar revista People.

Fituesja e çmimit Oscar, e cila pati një karrierë brilante që shtrihej në më shumë se gjysmë shekulli, ndërroi jetë në Kaliforni, kanë konfirmuar familjarët e saj për mediat. Aktualisht nuk janë dhënë më shumë detaje rreth vdekjes së saj, New York Post.

Keaton, e cila u bë e njohur në vitet ’70, luajti në disa prej filmave më të famshëm të kohës, përfshirë: “The Godfather”, “Annie Hall”, “Baby Boom”, “The First Wives Club” dhe “Something’s Gotta Give”.

Ajo lë pas dy fëmijët e saj: Dexter, 29 vjeç dhe Duke, 25 vjeç.

Diane Keaton, e lindur në Los Anxhelos, bëri debutimin e saj në kinematografi në vitin 1970 me filmin “Lovers and Other Strangers.”

Në vitin 1972, ajo u bë një emër i njohur për publikun me rolin e Kay Adams-Corleone në filmin legjendar “The Godfather”, ku luajti përkrah ikonave të kinemasë Marlon Brando dhe Al Pacino.

Po atë vit, Keaton u shfaq në filmin “Play It Again, Sam”, përballë Woody Allen, duke nisur kështu një bashkëpunim të gjatë mes tyre që do të zgjaste për dekada. Ata punuan së bashku në tetë filma, përfshirë “Annie Hall”, roli i së cilës i solli Keaton çmimin Oscar në vitin 1978.

Ndër filmat e tjerë të vlerësuar të Woody Allen ku Keaton mori pjesë janë edhe “Interiors”, “Manhattan” dhe “Radio Days.”/expreess