Vdes bashkatdhetari nga Gjilani, Demush Ismajli, ishte nga gjenerata e parë që e morën rrugën e mërgimit
Publicisti dhe gazetari i njohur nga Gjilani që jeton dhe vepron në Londër, Daut Dauti, ka bërë një dedikim prekës pas ndarjes nga jeta të bashkatdhetarit që jetoi dhe punoi në Zvicër që nga viti 1965, Demush Ismajli.
“Kanë kaluar 57 vite nga ajo ditë. Nga momenti i mbylljes së derës së oborrit, kur nga sytë e mi humbi pamja e tij, e deri sot kur kusheriri im i ka mbyllur sytë përgjithmonë, më duket si një kohë me 57 sekonda. Gjatësia e kohës së jetës së njeriut në këtë botë është kaq e shkurtër. Por, ditët e gurbetçarit, të kaluara larg familjes dhe vendlindjes, janë të vështira dhe maten me shekuj”, ka shkruar Dauti për kushëririn e tij tashmë të ndjerë.
Postimi i plotë i Daut Dautit:
Jeta e një gurbetçari
Sot, në Zürch të Zvicrës ka ndërruar jetë kusheriri im, Demush Ismajli. Jeta e tij është historia më e plotë e një gurbetçari. Si sot e mbaj mend kur u nis për Zvicër. Ka qenë viti 1965. Viti kur unë kam filluar të njihem me botën dhe t’i regjistroj kujtimet në mendjen time. Erdhi në shtëpinë tonë të mbushur me njerëz të familjes që kishin ardhur ta përcillnin agën Demush, siç e quanim ne fëmijët atëherë dhe më vonë. Po shkonte në Zvicër për të punuar. Ka qenë hera e parë që e kam dëgjuar fjalën Zvicër, që nuk e dija nëse ishte emërtim për fshat, qytet apo shtet. Por, e dija se ishte diku larg. Të gjithë thoshin se është shumë larg, që në fakt, askush nuk e dinte saktësisht se ku gjendej ky vend dhe sa është larg nga vendi jonë. Këtë moment e mbaj në mend edhe për arsye se atë ditë erdhi në jetë vëllau im i tretë, Agimi.
Kusheriri im i kishte kryer punët sipas rregullit. E kishte kryer ushtrinë, ishte martuar, siç e do zakoni, por punë nuk gjente në fshat e as në qytet, që atëherë ishte ambient pothuaj feudal.
Nga dritarja e dhomës e kam shikuar daljen e tij nga dyert e oborrit tonë. Ishte djalë i ri me fytyrë që i shkëlqente. Ishte me trup më i shkurtër se burrat (kusherinjtë) që dolën për ta përcjellur. Shkonte në Ferizaj për të hipur në tren (Akropolis), që do ta çonte në Insbruk (Austri), dhe nga aty me një tren tjetër do të shkonte në Zurich. Pastaj, kishte shkuar në punën e tij të parë, në një fermë të një fshati në St. Gallen. Kjo ka qenë rruga e tij, e panjohur deri atëherë, por të cilën më vonë do ta ndjeknin më shumë se gjysma e Kosovës. Ai ishte nga të parët që po e trasonin një rrugë tonën të vështirë, por të domosdoshme dhe të dobishme.
Kanë kaluar 57 vite nga ajo ditë. Nga momenti i mbylljes së derës së oborrit, kur nga sytë e mi humbi pamja e tij, e deri sot kur kusheriri im i ka mbyllur sytë përgjithmonë, më duket si një kohë me 57 sekonda. Gjatësia e kohës së jetës së njeriut në këtë botë është kaq e shkurtër. Por, ditët e gurbetçarit, të kaluara larg familjes dhe vendlindjes, janë të vështira dhe maten me shekuj.
Kur jam rritur, kam patur dëshirë të rrija me agën Demush. Më tregonte se si ishte Zvicra. Atëherë nuk kishte burime tjera të informacionit, pos këto të dorës së parë. Përmes rrëfimeve të tija, në mendjen time e kam ndërtuar imazhin për Zvicrën, që më dukej vend përrallor. Përmes tij, për herë të parë e kam shijuar ambëlsinë e çokollatave të Zvicrës kurse më vonë edhe aromën e tymit të cigareve ‘Parisienne’.
E di që rroga e tij e parë ka qenë 300 franga. Nuk kanë qenë shumë para, por nuk kishte më mirë. Me kalimin e kohës iu largua punëve të rënda dhe u punësua në shtypshkronjën e gazetës së njohur ‘Neue Zürcher Zeitung’. Aty, duke punuar në kontakt me kemikalie të shtypit, mori një sëmundje të lëkurës së duarve dhe u pensionua para kohës.
Përmes tij janë punësuar shumë njerëz. Ai ishte më i vjetri dhe me më shumë eksperiencë se tjerët. Përmes punës së duarve të njerëzve si ai është ndërtuar Kosova. Kusheriri im ka qenë nga ata njerëz që kurrë nuk e kanë fshehur dorën nga kushdo që ka kërkuar para për çështjen e Kosovës. Nuk iu ka ikur as aktiviteteve politike duke u munduar për të mirën e vendlindjes.
Për familjen tonë, të ngushtë e të gjërë, qe bërë qendër dhe referencë. Ka qenë kënaqësi të ishe mysafir i tij. Asnjëherë nuk ka përtuar të pranonte dhe gostiste mysafirë, të njohur e të panjohur. Ka qenë nga njerëzit e fundit të zbatimit të traditës.
Sidoqoftë, kusheriri im, është larguar duke e lënë këtë botë në gjendje më të mirë se që e ka gjetur. Edhe familja e tij dhe të gjithë ne jemi më mirë se atëherë. Kjo është kryesisht për arsye të punës së njerëzve të mirë, çfarë ka qenë kusheriri im, Demush Ismajli, për të cilin na merr malli dhe na mbushen sytë me lot.