Vdes në spital një i burgosur, ishte diagnostifikuar me tumor
Një i burgosur ka vdekur mbrëmë në Klinikën e Neurologjisë në Prishtinë. Njoftimin e ka dhënë Shërbimi Korrektues i Kosovës. Bëhet fjalë për personin me inicilaet R.S. (1970), i cili ishte diagnostikuar me tumor.
Njoftimi i plotë:
Prishtinë, 21 prill 2021 – Shërbimi Korrektues i Kosovës, njofton opinionin publik se mbrëmë rreth orës 22:55 në Kliniken e Neurologjisë së SHSKUK-së, ka ndërruar jetë i burgosuri, R.S, viti i lindjes 1970.
I njëjti gjatë mbajtjes së dënimit, gjatë vizitave sistematike nga personeli mjekësor i burgut, është diagnostikuar me tumor malinjë në regjionin e pelvikut, i cili më vonë ka dhënë metastaza të shumta.
Për trajtim më të mirë dhe më adekuat, që nga 08. 04.2021, i burgosuri ka qenë i shtrirë në Klinikën e Neurologjisë të SHSKUK për trajtim të pasojave të dhëna nga metastazat e tumorit, tërë kohen në bashkëpunim me Klinikën e Onkologjisë.
Përkundër angazhimit adekuat të personelit mjekësor të këtyre klinikave, gjendja ka vazhduar të përkeqësohet dhe si pasojë i burgosuri ka ndërruar jetë.
Organet kompetente janë duke i zhvilluar procedurat ligjore, thuhet në njoftim, por nuk saktësohet kohëzgjatja e dënimit dhe as vendbanimi i të ndjerit.

